Tensionet në Lindjen e Europës janë rritur pas informacioneve të fundit për dislokimin e forcave ushtarake ruse pranë vendeve baltike. Sipas të dhënave satelitore, Moska po pozicionon trupa në veri të rajonit, gjë që mund të rrezikojë kalimin e Suwałki, një korridor i ngushtë 65 kilometra në Poloni që lidh Lituaninë, Letoninë dhe Estoninë me pjesën tjetër të NATO-s.
Interesi i Rusisë për këtë pikë strategjike nuk është i ri. Që nga vitet '90, Kremlini ka bërë presion për të krijuar një korridor tokësor që lidh rajonin e Kaliningradit (ish-Konigsberg) me Bjellorusinë, një vend aleat. Megjithatë, Polonia ka refuzuar vazhdimisht këto kërkesa, duke qenë e vetëdijshme për rrezikun që do të shkaktonte për sigurinë e NATO-s.
Përmasat e kalimit të Suwałki janë theksuar për vite me radhë nga komandantë të lartë ushtarakë perëndimorë. Në vitin 2015, ish-komandanti i Forcave të Armatosura të SHBA-së në Europë, gjenerali Ben Hodges, e quajti atë “një nga pikat më eksplozive të hartës botërore”, duke paralajmëruar për vështirësitë logjistike që NATO do të kishte për të reaguar shpejt ndaj një agresioni në këtë zonë.
Nga ana tjetër, ish-presidenti i Estonisë, Toomas Hendrik Ilves, paralajmëroi për mundësinë e një sulmi të përbashkët nga lindja dhe perëndimi, duke ndarë vendet baltike nga pjesa tjetër e Europës dhe duke vënë në provë unitetin e NATO-s. Ky skenar do të paraqiste një sfidë për mbrojtjen perëndimore, pasi do të detyronte NATO-n të furnizonte Lituaninë, Letoninë dhe Estoninë vetëm përmes Detit Baltik.
Ekspertët e sigurisë paralajmërojnë për rrezikun e rritjes së tensioneve dhe mundësinë e veprimeve hibride dhe sulmeve të mundshme nga Rusia dhe Bjellorusia. (A2 Televizion)