“Ky regjim ka vdekur”, lideri i rebelëve: Qëllimi ynë është të heqim Bashar al-Assad

Nga Erjon Dervishi
6 Dhjetor 2024, 11:51 | Bota

Synimi i koalicionit rebel të Sirisë, është të rrëzojë përfundimisht Presidentin autoritar Bashar al-Assad. Ky fakt është bërë i ditur nga udhëheqësi i grupit militant Abu Mohammad al-Jolani, i cili drejton opozitën e armatosur të vendit.

Në një intervistë ekskluzive me CNN, al-Jolani nuk la asnjë dyshim se ambiciet e Hayat Tahrir Al-Sham nuk janë asgjë më pak se t'i japë fund regjimit të Asadit. Në intervistën e tij të parë në media pas vitesh, në një vend të fshehtë në Siri, ai foli për planet për të krijuar një qeveri të bazuar në institucione dhe një “këshill të zgjedhur nga populli”.

“Kur flasim për objektiva, qëllimi i revolucionit mbetet përmbysja e këtij regjimi. Është e drejta jonë të përdorim të gjitha mjetet në dispozicion për të arritur këtë qëllim. Farat e humbjes së regjimit kanë qenë gjithmonë brenda tij iranianët u përpoqën të ringjallën regjimin, duke i blerë kohë dhe më vonë rusët u përpoqën ta mbështesin atë. Por e vërteta mbetet: ky regjim ka vdekur”, deklaroi Abu Mohammad al-Jolani, shkruan A2 CNN. 

Që kur shpërtheu revolta në veriperëndim të vendit, përparimi i rebelëve ka qenë jashtëzakonisht i shpejtë, duke marrë nën kontroll qytetin e dytë më të madh të vendit, Aleppo, përpara se të pushtonin qytetin strategjik të Hamës. Ofensiva shokuese i dha një goditje të madhe Assadit dhe mbështetësve të tij në Iran dhe Rusi, ndërsa rindizte një luftë civile që kishte qenë kryesisht e fjetur për vite me radhë. Al-Jolani shprehu dëshirën për të parë forcat e huaja të largohen nga Siria. Aktualisht ka forca nga SHBA, Turqia, Rusia dhe Irani, si dhe përfaqësues iranianë në vend.

“Siria meriton një sistem qeverisës që është institucional, jo një sistem ku një sundimtar i vetëm merr vendime arbitrare. Ne po flasim për një projekt më të madh – po flasim për ndërtimin e Sirisë. Hayat Tahrir al-Sham është vetëm një pjesë e këtij dialogu dhe ai mund të shpërbëhet në çdo kohë. Nuk është një qëllim në vetvete, por një mjet për të kryer një detyrë: përballjen me këtë regjim”, tha Abu Mohammad al-Jolani.

Al-Jolani preu e filloi karrierën si një luftëtar i ri i Al Kaedës kundër SHBA-së në Irak. Pas kthimit në atdheun e tij gjatë luftës civile siriane, ai drejtoi degën e grupit terrorist në Siri kur ishte nën emrin Jabhat Al Nusra. Ai preu lidhjet me Al Kaedën dhe organizata e tij u zhvillua nën emrin si Organizata për Çlirimin e Levantit, në fillim të vitit 2017. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos