Bota ndaloi për një ditë për t’i dhënë lamtumirën e fundit Papa Françeskut.
Me zemrat e pikëlluara, Me qindra mijëra besimtarë, por edhe liderë nga dhjetëra shtete të ndryshme, përfshirë presidentin amerikan, Donald Trump, u bënë bashkë në Vatikan për të marrë pjesë në funeralin e Papës. Në meshën e procesionit të Atit të Shenjtë në sheshin e Shën Pjetrit, që u ndoq nga mbi 1 miliardë besimtarë në mbarë botën, kardinali italian Giovanni Battista Re bëri thirrje për kujdes për emigrantët, përfundimin e luftërave dhe veprimin mbi ndryshimet klimatike globale, temat e preferuara politike të Françeskut.
“Ne jemi të mbështetur nga garancia e besimit, e cila na siguron se ekzistenca njerëzore nuk përfundon në varr, por në shtëpinë e Atit. Përballë luftërave të furishme të viteve të fundit, me tmerret e tyre çnjerëzore dhe vdekjet dhe shkatërrimet e panumërta, Papa Françesku ngriti vazhdimisht zërin duke kërkuar paqe dhe duke bërë thirrje për arsye dhe negociata të ndershme për të gjetur zgjidhje të mundshme. Lufta, tha ai, është vetëm vdekja e njerëzve dhe shkatërrimi i shtëpive, spitaleve dhe shkollave. Ai shprehej përherë se: ‘Lufta e lë gjithmonë botën më keq se më parë: është gjithmonë një disfatë e dhimbshme dhe tragjike për të gjithë. Ndërtoni ura, jo mure’. Kjo ishte një thirrje që ai përsëriti shumë herë”, tha Kardinali Giovanni Battista Re.
Kjo deklaratë, për rreth 135 kardinalët katolikë, të cilët së shpejti do të ngarkohen të hyjnë në një konklavë sekrete për të zgjedhur papën e radhës, ishte gjithashtu një udhërrëfyes i mundshëm për mënyrën se si ata duhet të fillojnë diskutimet e tyre, shkruan A2 CNN. Me gjuhën shpirtërore, prelati 91-vjeçar dha një mesazh të thjeshtë: kthim pas nuk ka.
Françesku, Papë që nga viti 2013, vdiq të hënën në moshën 88-vjeçare gjatë festës së Pashkëve. Funerali i tij përfshinte koreografi të zgjedhura me kujdes, këngë latine, ulëse të organizuara rreptësisht dhe përdorimin e riteve të lashta katolike. I gjithë procesioni në fakt ishte më i thjeshtuar se ai i papëve të mëparshëm, duke ndjekur udhëzimet që Françesku dha vetë.
Shërbesa përfundoi me një lavdërim të fundit, një lutje përmbyllëse ku Papa iu dorëzua zyrtarisht Zotit. Kjo shënon fillimin e një periudhe zie nëntëditore të quajtur Novemdiales me një meshë që mbahet çdo ditë në kujtim të tij. Papa Françesku do të mbahet mend si njeriu që mbrojti me çdo kusht emigrantët dhe të varfrit, dhe për përpjekjet e tij për të riformuar Kishën Katolike.
Françesku bëhet Papa i parë në më shumë se tre shekuj që varroset në Santa Maria Maggiore. Ai ishte një papë i shumë të parëve. Ishte Papa i parë i Amerikës Latine, i pari i rendit jezuit dhe i pari Papë i ditëve moderne i lindur jashtë Europës. I zgjedhur në vitin 2013 si një kandidat i jashtëm nga Argjentina, Françesku vazhdoi të çonte përpara reforma progresive, duke përfshirë promovimin e roleve të grave në kishë dhe një lloj hapje për komunitetin LGBT. (A2 Televizion)