Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, bëri thirrje të premten që Ukraina dhe Rusia të zhvillojnë bisedime të nivelit të lartë për të finalizuar një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës mes vete, pasi i dërguari i Shtëpisë së Bardhë, Steve Witkoff, u takua me presidentin rus, Vladimir Putin, në Moskë.
Trump tha ishte një “ditë e mirë” bisedimesh pasi Witkoff u takua me Putinin për rreth tre orë të premten.
Një këshilltar i lartë i Kremlinit tha se bisedimet ishin “frytdhënëse” dhe SHBA-ja dhe Rusia i kanë përafruar më shumë qëndrimet e tyre rreth Ukrainës dhe çështjeve të tjera.
“Ata janë shumë afër një marrëveshjeje, dhe palët duhet të takohen tani, në nivele shumë të larta, për ta 'përmbyllur' [marrëveshjen]”, shkroi Trump në Truth Social pas mbërritjes në Romë për varrimin e Papa Françeskut.
“Për shumicën e pikave kryesore është arritur pajtueshmëri. Ndaleni gjakderdhjen, TANI. Ne do të jemi kudo që është e nevojshme për të ndihmuar në LEHTËSIMIN e përfundimit të kësaj lufte mizore dhe të pakuptimtë!” shtoi ai.
Takimi i Witkoffit me Putinin, i katërti që nga janari, u zhvillua ndërkohë që administrata e Trump po bën përpjekje të mëdha për ta gjetur një zgjidhje për luftën 38-mujore të Rusisë kundër Ukrainës, përmes një propozimi për paqe që do të shënonte gjithashtu një ndryshim të madh në politikën amerikane: njohjen e e Gadishullit të Krimesë si pjesë të Rusisë.
Trump tha në një intervistë të publikuar të premten se “Krimea do të mbetet me Rusinë” dhe kërkoi nga presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ta nënshkruajë menjëherë një marrëveshje të vonuar prej kohësh që i jep SHBA-së qasje në burimet minerale të Ukrainës.
Nuk është konfirmuar nëse Krimea ishte diskutuar në takim – apo ndonjë nga propozimet e tjera të paraqitura nga Uashingtoni – megjithëse ishte pritur të ishte një nga temat kryesore të diskutimit.
Moska e pushtoi, dhe më pas pretendoi se e aneksoi Krimenë në vitin 2014. Përveç një numri të vogël vendesh, aneksimi nuk është njohur nga pjesa tjetër e botës. Politika amerikane që nga ajo kohë – përfshirë gjatë administratës së parë të Trump – e ka kundërshtuar pretendimin rus mbi Krimenë.
Yuri Ushakov, këshilltari kryesor i Putinit për politikën e jashtme, e përshkroi takimin mes Putinit dhe Witkoffit si “konstruktiv” dhe “të dobishëm”.
“Kjo bisedë ua mundësoi Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara t’i përafrojnë më tej qëndrimet e tyre, jo vetëm për Ukrainën, por edhe për një numër çështjesh të tjera ndërkombëtare”, u tha ai gazetarëve.
Pasi propozimi amerikan filloi të qarkullojë në Paris javën e kaluar, Zelensky e bëri të qartë, si në deklarata publike, ashtu edhe në takime private, se do ta refuzonte kategorikisht njohjen e Krimesë si territor rus.
Si pasojë, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, u tërhoq papritur nga bisedimet pasuese që priteshin të mbaheshin në Londër më 23 prill.
"Nuk ka për çfarë të flasim. Është toka jonë, toka e popullit ukrainas”, deklaroi Zelensky më 23 prill./REL (A2 Televizion)