Bisedimet e paqes midis Rusisë dhe Ukrainës janë ndërprerë. Ky fakt është bërë i ditur nga Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskos në një reagim për mediat.
Sipas ekspertëve kjo tregon një shenjë se përpjekjet e Donald Trump për t'i dhënë fund konfliktit po lëkunden. Presidenti amerikan, duke kërkuar një marrëveshje për t'i dhënë fund luftimeve, është angazhuar në një seri bisedimesh me Vladimir Putin, Volodymyr Zelensky dhe udhëheqësit e aleatëve të Kievit në NATO.
Megjithatë, pavarësisht një takimi të profilit të lartë me Trump në Alaska muajin e kaluar, Putin ka vazhduar me ofensivën e tij, duke kërkuar më shumë tokë ndërsa rrit bombardimet me raketa - duke përfshirë një sulm ndaj Ukrainës këtë javë në të cilin dronët rusë kaluan në hapësirën ajrore polake.
“Negociatorët tanë kanë mundësinë të komunikojnë përmes kanaleve. Por për momentin, ndoshta është më e saktë të flasim për një pauzë”, tha Dmitry Peskov, zëdhënësi i Kremlinit. “Nuk mund të presësh që procesi i negociatave të japë rezultate të menjëhershme”, shtoi ai në një telefonatë me gazetarët.
Putini në fakt e ka përjashtuar një takim me Zelensky, i cili thotë se një samit është jetik për të thyer bllokimin. Putini këmbëngul se një takim i tillë mund të zhvillohet vetëm në Moskë, diçka për të cilën Kievi nuk ka gjasa të bjerë dakord ndonjëherë.
Peskov i bëri komentet pasi zoti Trump minimizoi ndërhyrjen e dronëve rusë në hapësirën ajrore të NATO-s në Poloni, duke thënë se mund të ketë qenë një "gabim" nga Kremlini.
Të martën në mbrëmje, avionë luftarakë polakë dhe holandezë u ngritën në ajër pasi Rusia lëshoi raketa dhe dronë drejt Ukrainës, me rreth 19 prej tyre që hynë në hapësirën ajrore polake. (A2 Televizion)