
Letra e fundit e Mary Stuart, Mbretëreshës së Skocisë, e shkruar në frëngjisht disa orë para ekzekutimit të saj më 8 shkurt 1587, do të ekspozohet publikisht vitin e ardhshëm në Muzeun e Perthit.
Dorëshkrimi, i mbajtur nga Biblioteka Kombëtare e Skocisë dhe që rrallë nxirret për arsye konservimi, do të qëndrojë në ekspozim për tre muaj, hera më e gjatë e shfaqjes së saj në dekada.
Letra katërfaqëshe, drejtuar Mbretit Henri III të Francës, përmban reflektimet e Marisë për ekzekutimin e saj të afërt, pretendimin për të drejtën e saj mbi kurorën angleze, devotshmërinë ndaj fesë katolike dhe kërkesën që shërbëtorët e saj të shpërblehen pas vdekjes.
Mbretëresha Mary e Skocisë u ekzekutua më 8 shkurt 1587 për komplot kundër Elizabeth.

Ekspozita do të shoqërohet nga një program më i gjerë aktivitetesh dhe materiale të tjera historike, përfshirë dorëshkrime nga Biblioteka AK Bell, si poema e Robert Burns “Vajtimi i Marisë, Mbretëreshës së Skocisë” dhe fragmente nga drama e Liz Lochhead “Mary Queen of Scots Got Her Head Copped Off”. Herën e fundit që letra u shfaq, në vitin 2017, ajo tërhoqi radhë të gjata vizitorësh në Edinburg.
Letra e fundit e Marisë, Mbretëreshës së Skocisë, do të jetë e ekspozuar në Muzeun e Perthit nga e premtja, 23 janari deri në 26 prill 2026. (A2 Televizion)