Gazetari Anri Bala gjatë debatit me deputetin demokrat Klevis Balliu, tha se është informuar se protestuesit e "revolucionit flamingo" i kanë sheshuar mospajtimet me kryedemokratin Sali Berisha.
I ftuar në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2CNN, Bala tha se është rënë dakord për t’u bashkuar në një front kundër të keqes më të madhe, që sipas protestuesve dhe PD-së, është Edi Rama.
Sakaq deputeti Balliu tha se protestat qytetare ndryshe nga ato partiake nuk kanë një linjë. Të enjten PD-ja ka thirrur një protestë, e cila vjen në një kohë kur po vijon protesta qytetare kundër qeverisë, para Kryeministrisë apo godinës së Parlamentit.
DEBATI
Bala: Sot unë e mora vesh që këtu gjërat janë sheshuar. Pavarësisht hatërmbejtjeve që mund të kenë me z.Berisha, këta (protestuesit qytetarë) e kanë sheshuar me z.Berisha, sepse e keqja më e madhe është Edi Rama. Kaq mora vesh unë. I kanë sheshuar pretendimet BNB, janë më pak që duan Berishën në burg.
Çepani: Nuk do me thënë që janë bashkuar protestuesit me ata deputetët që do votojnë kundër reformës.
Bala: Nuk janë bashkuar, janë në një front ndaj të keqes më të madhe.
Balliu: Unë kam qenë te protesta.
Bala: Ç’patën me ty tani që të thërrisnin hajdut?!
Balliu: Jemi mësuar në gjithë këto vite që protestat t’i bëjnë vetëm partitë. Sepse në protestat e partive ka një linjë. Partitë bëjnë mitingje.
(A2 Televizion)