Gazetari Lutfi Dervishi thekson se nuk mund të ketë demokraci në Shqipëri me parti sulltanësh, ku në krye është lideri dhe pas tij janë 25 vende bosh. I ftuar në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2CNN, Dervishi tha se Shqipëria duhet të tejkalojë damkën që nuk bën dot zgjedhje të mira.
“E keqja s’është thjesht dhe vetëm te sistemi, është kulturore, në mentalitet, mënyra se si është jeta politike, se si janë organizuar kështjellat e demokracisë, që quhen parti politike. Në qoftë se kemi parti sulltanësh, që është lideri, ka 25 vende bosh, dhe i 26-ti guxon që të thotë mirëmëngjes, nuk ke të garantuar demokracinë. Nëse në një parti nuk bëhen zgjedhje, në një parti tjetër ka akuza se vet brenda kur bëhen zgjedhjet ka parregullsi, ti s’mund të presësh rregullësi në zgjedhjet e tjera. Problemi i Shqipërisë është që ne duhet të tejkalojmë damkën që nuk bëjmë dot zgjedhje të mira”, tha Dervishi. (A2 Televizion)