Një i ri nga Utah, që dyshohet të jetë vrasësi i aktivistit konservator Charlie Kirk, është lënë në paraburgim, teksa liderët amerikanë vijojnë të reagojnë me dhimbje e frustrim ndaj dhunës politike që ka përfshirë vendin. 22-vjeçari u kap 33 orë pas sulmit ku mbeti i vrarë mbështetësi i Trump, pas një operacioni të madh që përfshiu policinë lokale dhe federale, shkruan A2 CNN.
Ai është identifikuar si Tyler Robinson, ndërsa drejtori i FBI-së, Kash Patel, tha se kishin marrë 11 mijë sinjalizime për gjetjen e tij. Sipas autoriteteve, Robinson i ishte rrëfyer të atit për vrasjen, dhe babai, i ndihmuar nga një pastor, e kishte bindur të dorëzohej. 22-vjeçari akuzohet, ndër të tjera, për vrasje të rëndë dhe pengim të drejtësisë.
Në komentet e para publike, që kur Kirk u qëllua për vdekje me snajper teksa merrte pjesë në një forum në Universitetin e Utaht, bashkëshortja e tij, Erika, u zotua mes lotësh se lëvizja e krijuar nga 31-vjeçari nuk do të vdiste.
“Keqbërësit përgjegjës për vrasjen e burrit tim nuk kanë idenë se çfarë kanë bërë. Ata vranë Çarlin sepse ai predikoi mesazhe patriotizmi, besimi dhe dashurie të mëshirshme të Zotit. Ata të gjithë duhet ta dinë këtë: nëse mendonit se misioni i bashkëshortit tim ishte i fuqishëm më parë, nuk keni idenë. Nuk e keni idenë çfarë zjarri keni ndezur brenda kësaj gruaje; britmat e kësaj vejushe do të jehojnë në të gjithë botën si një britmë beteje. Për të gjithë ata që dëgjojnë sonte në të gjithë Amerikën, lëvizja që ndërtoi bashkëshorti im nuk do të shuhet. Nuk do të vdesë. Unë nuk do ta lejoj”, tha ajo.
Në armën e krimit, që besohet të jetë një pushkë me bulona, ishin gdhendur mesazhe të tilla si “Hej fashist” apo “O Bella Ciao”, e cila do të thotë “Lamtumirë, bukuroshe” në italisht dhe është titulli i një kënge të njohur të rezistencës italiane kundër trupave pushtuese naziste.
Vrasja ka nxitur zemërim mes mbështetësve të Kirk dhe denoncime për dhunë politike nga demokratët. (A2 Televizion)