Më shumë vende të NATO-s do të zhvendosin trupa dhe avionë lufte në lindje, pasi rreth 20 dronë rusë hynë në hapësirën ajrore të Polonisë të mërkurën. Danimarka, Franca dhe Gjermania iu bashkuan misionit të ri, të njoftuar më herët nga shefi i NATO-s, Mark Rutte, që synon përforcimin e kahut lindor të aleancës ushtarake. Anëtarë të tjerë pritet të ndjekin shembullin më vonë.
Danimarka do të kontribuojë me avionë F-16 për të mbështetur mbrojtjen ajrore të Polonisë, si dhe me luftanije, sipas Ministrisë së Mbrojtjes, shkruan A2 CNN. Franca ka thënë se do të kontribuojë me tre avionë Rafale, ndërsa Gjermania do të vërë në dispozicion katër Eurofighter.
Shtetet evropiane dhe SHBA mbështetën Poloninë gjatë një sesioni urgjent të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, mbrëmjen e së premtes. “Shtetet e Bashkuara qëndrojnë krah aleatëve të NATO-s përballë këtyre shkeljeve alarmuese të hapësirës ajrore. Po konsultohemi me Poloninë dhe aleatë të tjerë të NATO-s, mbi bazën e nenit 5 të Traktatit të Atlantikut të Veriut. Dhe të jeni të sigurt se do të mbrojmë çdo centimetër të territorit të NATO-s”, deklaroi ambasadorja amerikane në OKB, Dorothy Shea.
Shea vlerësoi se, që kur presidenti amerikan Donald Trump dhe homologu i tij rus, Vladimir Putin, zhvilluan një samit për paqen në Alaskë, gati një muaj më parë, Moska ka intensifikuar sulmet ndaj qyteteve dhe infrastrukturës ukrainase.
Në fjalimin e mbajtur në Këshillin e Sigurimit të premten, sekretari i shtetit në Poloni, Marcin Bosacki, tregoi fotot e një prej dronëve të rrëzuar të mërkurën dhe një shtëpie të dëmtuar. “E dimë me siguri se nuk ishte një gabim”, tha ai.
Por Moska këmbënguli se nuk e kishte shënjestruar Poloninë, me ambasadorin Vasili Nebenzia që tha se rrezja maksimale e dronëve të përdorur në sulm nuk e tejkalonte 700 km. Kjo, sipas tij, e bënte fizikisht të pamundur për to të arrinin territorin polak. Ai shtoi se Moska ishte e gatshme të diskutonte çështjen me Poloninë, nëse pala polake është realisht e interesuar të reduktojë tensionet, në vend që t’i rrisë ato.
Bjellorusia, aleate e Moskës, ka thënë më herët se dronët kishin humbur rrugën pasi sistemet e tyre të navigimit ishin bllokuar. (A2 Televizion)