Lita: Enver Hoxha nuk doli katër ditë nga dhoma për të ndjekur takimin Nixon-Mao

Nga A2 CNN
13 Maj 2026, 20:55 | Bota

Gazetari Lavdrim Lita theksoi se takimet mes një Presidenti amerikan dhe një Presidenti kinez janë shumë të rëndësishme për të gjithë botën, duke treguar edhe një fakt historik.

“Duhet t'i themi qytetarëve shqiptarë për rëndësinë që ka vizita e një Presidenti amerikan në Kinë dhe do ta them me një fakt historik të treguar në ditaret e sekretarit personal të Enver Hoxhës, Haxhi Kroj, i cili thotë që në takimin e 1972-it midis Niksonit dhe Maos, Enver Hoxha mori një televizor në dhomë dhe nuk doli për katër ditë nga dhoma për të ndjekur punimet, sepse donte të kuptonte se çfarë do të thoshte kjo për botën dhe posaçërisht për Shqipërinë. Dhe ne e dimë qasjen që mori Enver Hoxha pastaj për t'u prishur me Kinën. Kjo është për t'ju treguar shqiptarëve pse liderët botërorë vëzhgojnë takimin e Presidentit amerikan me Presidentin kinez”, u shpreh Lita në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN.

Lita tha më tej se në takimin mes Presidentit amerikan Donald Trump dhe atij kinez, Xi Jinping, do të diskutohet për disa tema, ku 4 janë më të rëndësishmet.

“Ata kanë disa tema të hapura për të cilat do diskutojnë. 4 më të rëndësishmet kanë të bëjnë me Iranin, tarifat, fentanilin dhe më e rëndësishmja, për inteligjencën artificiale. Trump ka marrë me vete krerët e teknologjisë dhe shkencëtarëve për t'i çuar në Pekin dhe për të diskutuar për sistemet e inteligjencës artificiale të cilat kanë shkuar deri në atë nivel paparashikueshmërie sa t'i ulë këto dy liderë dhe të venë disa rregulla për përdorimin e tyre”, tha Lita. 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos