Lufta hibride e Rusisë, Europa në alarm. Dakordësohet për krijimin e “murit antidronë”

Nga A2 CNN
29 Shtator 2025, 22:51 | Bota

Shtetet e BE po planifikojnë krijimin e një “muri antidronë” mes frikës për intensifikim të luftës hibride të Rusisë.

Gjithnjë e më shumë vende anëtare të NATO-s në Europë po raportojnë episode të shkeljes së hapësirës ajrore nga dronë e avionë, që dyshojnë se janë të Rusisë, shkruan A2.

Pasi mbylli disa prej aeroporteve në vend, përfshirë atë të Kopenhagenit, si pasojë e inkursionit të dronëve, Danimarka bëri të ditur se mjete të tjera fluturuese pa pilot ishin vëzhguar në disa lokacione të ndryshme ushtarake rreth vendit.

Po ashtu, Suedia, Finlanda e Lituania kanë raportuar aktivitet dronësh të paidentifikuar mbi infrastrukturë kritike. Incidentet e reja vijnë pak ditë pas atyre të raportuara nga Polonia, Rumania e Estonia, që detyruan disa prej vendeve të kërkonin zbatim të nenit 4 të NATO-s, për konsultime me aleatët.

Ministrat e Mbrojtjes së BE u mblodhën në fundjavë për të diskutuar masa antidron, ndërkohë NATO po punon për fuqizimin e pranisë në Europën Lindore. Aleanca njoftoi se do shtonte vigjilencën me asete të reja shumë funksionale pranë Detit Baltik. Detajet, siç tha, do të mbeteshin sekret!

Pas takimit të ministrave të Mbrojtjes, komisioneri i BE për Mbrojtjen, Andrius Kubilius, tha se Rusia ishte duke testuar BE dhe NATO dhe se përgjigjja e tyre duhet të ishte e vendosur, e bashkuar dhe e menjëhershme.

Sipas tij, ministrat kishin rënë dakord për të lëvizur nga diskutimet drejt veprimeve konkrete dhe se vendet e BE do shqyrtonin mënyrat si të krijonin infrastrukturë dhe të gjenin financimet për një mburojë antidron. Siç u tha, një sistem efikas detektimi mund të kërkonte një vit për t’u ndërtuar.

Finlanda, Polonia dhe vendet baltike (Estonia, Letonia dhe Lituania), patën nisur një projekt për ndërtimin e një muri kundër dronëve, por BE refuzoi kërkesën e tyre për financime më herët gjatë vitit. Rastet e shtuara të inkursioneve duket se kanë rritur urgjencën.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos