“Lufta mori fund”, Izraeli nënshkruan marrëveshjen. Armëpushim dhe lirim i pengjeve

Nga Rosalba Bejdo
10 Tetor 2025, 12:37 | Bota

24 orë pasi negociatorët njoftuan arritjen e një marrëveshje për fazën e parë te planit të Donald Trump për Gazën, qeveria izraelite i dha dritën jeshile ujdisë, duke i hapur rrugën pezullimit të sulmeve në Gaza brenda 24 orëve.

Sipas planit, luftimet do të marrin fund dhe të gjitha operacionet ushtarake, përfshirë bombardimet ajrore dhe ato me artileri do të ndalen, shkruan A2.

Ratifikimi i marrëveshjes për armëpushim nga kabineti izraelit paraditen e së premtes, nënkupton se pengjet duhet të lirohen brenda 72 orëve, në këmbim të të burgosurve palestinezë. Faza e parë parashikon gjithashtu edhe tërheqjen e trupave izraelite deri në një vijë të caktuar, që do t’i lërë ata në kontroll të rreth 53% të enklavës bregdetare.

Por, gjithashtu tërheqja duhet kompletuar në harkun kohor të 24 orëve. 

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, u shpreh: “Jemi në një moment historik. Në 2 vitet e fundit kemi luftuar për të arritur qëllimet tona, një prej të cilëve kthimi i të gjitha pengjeve; të gjallë e të vdekur. Dhe tani po e arrijmë atë qëllim. Nuk do ta kishim arritur këtë pa ndihmën e jashtëzakonshme të Presidentit Trump dhe ekipit të tij, Steve Ëitkoff dhe Jared Kushner”. 

Kreu në ekzil i Hamasit, Khalil Al-Hayya, tha se kishte marrë garanci nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe negociatorë të tjerë se lufta kishte marrë fund. 20 pengje izraelite besohet të jenë ende të gjallë në Gaza, ndërsa 26 kanë vdekur dhe fati i 2 prej tyre është i panjohur. Hamasi ka sugjeruar se rekuperimi i trupave të viktimave mund të kërkojë pak më shumë kohë sesa lirimi i pengjeve të gjallë.

Pasi armëpushimi të bëhet efektiv, kamionë me ushqime dhe ndihma mjekësore do të vërshojnë në Gaza për të ndihmuar qindra mijëra civilët e strehuar nëpër tenda, pas shkatërrimit të banesave të tyre. Nëse zbatohet marrëveshja do të çojë palët më pranë paqes se çdo përpjekje tjetër për të ndalur luftën.

Ndërsa zhvillimi ka gëzuar banorët në Gaza dhe Izrael, ekziston frika që plani të mos funksionojë, ndërsa disa prej pikave kyçe të planit mbeten të kontestuara. Trump ka thënë se do të vizitojë rajonin të dielën. Me gjasë për të marrë pjesë në një ceremoni nënshkrimi në Egjipt.

Izraeli e ka ftuar të mbajë një fjalim në Parlament, që do të ishte i pari i një Presidenti amerikan që nga viti 2008. 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos