“Lufta nuk ka mbaruar”, Izraeli tërheq trupa nga Gaza: Po rigrupohemi!

Nga Rosalba Bejdo
7 Prill 2024, 17:06 | Bota

Ushtria Izraelite tërhoqi më shumë trupa tokësore nga gaza jugore, siç tha, për tu rigrupuar për fazën tjetër të luftës.

6 muaj pas nisjes së ofensivës kundër Hamasit, Izraeli ka larguar nga enklava e copëtuar shumicën e trupave, duke lënë në jug vetëm një brigadë. E megjithatë Forcat e Mbrojtjes kujdesen të theksojnë se lufta nuk ka përfunduar.

“Kjo është vetëm një fazë tjetër e luftës. Ushtria po rigrupohet. Lufta mund të mbarojë vetëm pasi të gjitha pengjet të kthehen në shtëpi dhe HAMAS të largohet.”, tha Kolonel Peter Lerner, zëdhënës i IDF.

Lëvizja vjen teksa Egjipti përgatitet të organizojë një raund të ri bisedimesh që synojnë arritjen e një armëpushimi dhe lirimin e pengjeve. Nuk është e qartë nëse tërheqja e trupave do të shtyjë, inkursionin e paralajmëruar në qytetin jugor të Rafahut, të cilin Shtetet e Bashkuara e kanë kundërshtuar.

Në Izrael mijëra njerëz kanë marre pjesë në protesta për të kërkuar një marrëveshje për lirimin e pengjeve teksa u shënua gjysmë viti që nga sulmet vdekjeprurëse të Hamasit.  

Manifestuesit bënë thirrje për dorëheqjen e Netanjahut, ndërsa zemërimi për fushatën e egër në Gaza është shtuar jashtë dhe brenda vendit. Izraeli pretendon se po punohet për të shmangur viktimat civile. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos