Miq dhe rivalë u bën bashkë në një sallë për të ndjekur fjalimin për Gjendjen e Kombit në Shtetet e Bashkuara. Presidenti amerikan, Donald Trump, përmendi shumë çështje nga tarifat, ekonomia, luftërat, rendi botëror dhe emigracioni në adresimin më të gjatë në histori, 1 orë e 47 minuta.
“Epoka e artë e Amerikës është mbi ne. Revolucioni që filloi në vitin 1776 nuk ka mbaruar. Ai vazhdon ende sepse flaka e lirisë dhe pavarësisë ende digjet në zemrën e çdo patrioti amerikan. Dhe e ardhmja jonë do të jetë më e madhe, më e mirë, më e ndritshme, më e guximshme dhe më e lavdishme se kurrë më parë”, tha Trump, përcjell A2 CNN.
Sa i përket luftërave, përsëriti sërish se u dha fund 8 konflikteve në botë, përfshirë atë mes Serbisë dhe Kosovës. Presidenti amerikan nënvizoi në Kongres se nuk do të lejojë kurrë që Iranit të ketë një armë bërthamore, teksa e akuzoi si sponsorizuesin më të madh të terrorizmit. Trump sinjalizoi një goditje ndaj shtetit të Ajatollahut, rejgim të cilin e akuzoi se ka vrarë 32 mijë protestues në muajt e fundit.
“Preferenca ime është ta zgjidh këtë problem përmes diplomacisë. Por një gjë është e sigurt, unë kurrë nuk do të lejoj që sponsori numër një i terrorizmit në botë, të ketë një armë bërthamore. Po zhvillon raketa të afta për të goditur Europën dhe Shtetet e Bashkuara. Prandaj nuk do ta lejoj kurrë që të ketë armë bërthamore”, tha Trump.
Lidhur me emigracionin bëri të ditur se do të lejojë hyrje të reja në Shtetet e Bashkuara, por vetëm ligjërisht. “Në nëntë muajt e fundit asnjë imigrant i paligjshëm nuk është pranuar në Shtetet e Bashkuara. Por ne gjithmonë do t'i lejojmë njerëzit të vijnë ligjërisht. Njerëz që do ta duan vendin tonë dhe do të punojnë shumë për ta ruajtur atë”, u shpreh presidenti.
Në këtë pikë të fjalimit, ndodhi një incident. Përfaqësuesja demokrate e SHBA-së, Ilhan Omar, e ngacmoi Presidentin duke bërtitur: “Keni vrarë amerikanë!”, ndërsa Trump akuzoi demokratët se nuk i kanë dhënë përparësi qytetarëve amerikanë mbi emigrantët e paligjshëm.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë lavdëroi arritjet e tij ekonomike gjatë fjalimit më të gjatë për Gjendjen e Kombit, duke ia atribuuar këtë sukses, tarifave të tij të diskutueshme globale, të cilat u rrëzuan nga Gjykata Supreme më pak se një javë më parë.
Gjatë adresimit të Trump, ndodhi dhe një incident tjetër. Përfaqësuesi demokrat nga Teksasi, Al Green, u përjashtua nga salla e Dhomës së Përfaqësuesve gjatë fjalimit, pasi në duar mbante një pankartë ku shkruhej “NJEREZIT ME NGJYRË NUK JANË MAJMUNË!” me shkronja kapitale. Trump kohët e fundit u kritikua gjerësisht pasi në llogarinë e tij në mediat sociale u postua dhe më pas u fshi, një video që paraqiste ish-Presidentin e SHBA-së Barack Obama dhe ish-Zonjën e Parë Michelle Obama si majmunë. (A2 Televizion)