Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, thotë se kufizimet e reja të vendosura nga Shtetet e Bashkuara mbi rolin e Rusisë dhe vendeve të tjera në biznesin e naftës në Venezuelë përbëjnë një diskriminim të hapur. Kremlini njoftoi më herët se Moska do t’i kërkojë shpjegime Uashingtonit lidhur me këto masa të reja.
Departamenti Amerikan i Thesarit lëshoi të martën një licencë të përgjithshme për të lehtësuar kërkimin dhe prodhimin e naftës dhe gazit në Venezuelë, por pa autorizuar transaksione që përfshijnë shtetas apo kompani ruse dhe kineze.
Lavrov tha se Rusia është në kontakt me SHBA-në për këtë çështje dhe kërkon bashkëpunim me respekt të ndërsjellë, “pa idenë e dominimit”. Ai theksoi se Rusia, Kina dhe Irani kanë pasur investime në sektorin e naftës dhe energjisë në Venezuelë, duke i cilësuar masat amerikane si diskriminuese. (A2 Televizion)