Për më shumë se katër vjet, lufta në Ukrainë është zhvilluar përtej kufijve të NATO-s. Por gjatë muajve të fundit, një seri incidentesh me dronë kanë ngritur shqetësimin se kufiri mes zonës së luftës dhe territorit të Aleancës po bëhet gjithnjë e më i paqartë.
Nga Finlanda, Estonia, Letonia dhe Lituania, deri në Rumani, dronë ushtarakë të përfshirë në luftën mes Rusisë dhe Ukrainës kanë depërtuar në hapësirën ajrore të vendeve anëtare të NATO-s, duke shkaktuar alarme, evakuime, rrëzime qeverish dhe, së fundmi, edhe viktimat e para civile.
Gjithçka nisi në fund të marsit. Më 25 mars, një dron hyri në hapësirën ajrore të Estonisë nga territori rus dhe goditi centralin energjetik të Auveres, pranë kufirit.
Margo Palloson shprehet: “Sot në mëngjes, në orën 3:40, një dron hyri në hapësirën ajrore të Estonisë nga ana ruse. Disa minuta më vonë ai goditi pjesën e sipërme të oxhakut të centralit të Auveres dhe ndodhi një shpërthim.”
Pothuajse në të njëjtën kohë, një tjetër dron u rrëzua në Letoni. Edhe pse nuk pati viktima, incidentet shënuan herën e parë që lufta dukej se po prekte drejtpërdrejt territorin e vendeve baltike. Vetëm pak ditë më vonë, Finlanda raportoi depërtimin e disa mjeteve ajrore pa pilot në juglindje të vendit. Avionët luftarakë F-18 u ngritën menjëherë në fluturim, ndërsa një prej objekteve u identifikua si dron ukrainas i tipit AN-196.
Në atë moment, shumica e analistëve i konsideruan këto raste si incidente të veçuara. Por muaji maj do të tregonte se problemi ishte shumë më serioz. Më 7 maj, dy dronë të tjerë kaluan nga territori rus dhe përfunduan në Letoni. Njëri prej tyre shpërtheu në një depo nafte në Rezekne, duke dëmtuar disa rezervuarë. Për herë të parë, qeveritë e Letonisë dhe Lituanisë kërkuan publikisht nga NATO forcimin e mbrojtjes ajrore në rajon.
Ministri letonez i Mbrojtjes, Andris Spruds, deklaroi se autoritetet po hetonin origjinën dhe destinacionin e dronëve.
Andris Spruds thotë: “Një nga teoritë është se bëhet fjalë për dronë të drejtuar ndaj objektivave legjitime në territorin rus. Por kjo është vetëm një teori. Hetimet do të ndihmojnë në përcaktimin e fakteve.”
Por hetimet nuk mjaftuan për të ndalur krizën politike. Vetëm tre ditë më vonë, Spruds dha dorëheqjen mes kritikave se sistemet kundër dronëve nuk ishin aktivizuar në kohë. Katër ditë më pas, kriza rrëzoi edhe vetë qeverinë.
Kryeministrja letoneze Evika Silina njoftoi dorëheqjen, pasi koalicioni qeverisës u shpërbë. Një seri dronësh të humbur kishin arritur të prodhonin një tërmet politik në një vend anëtar të NATO-s. Ndërkohë, kërcënimi vazhdonte të lëvizte nëpër qiellin baltik. Më 17 dhe 18 maj, Lituania zbuloi eksploziv pranë mbetjeve të një droni ushtarak të rrëzuar pranë kufijve me Letoninë dhe Bjellorusinë. Zyrtarët pranuan se mjeti nuk ishte zbuluar kur kishte hyrë në hapësirën ajrore të vendit. Vetëm një ditë më vonë, situata kaloi në një fazë të re. Një dron që kishte hyrë në Estoni nga territori rus u konsiderua kërcënim i drejtpërdrejtë dhe NATO vendosi të ndërhyjë. Një avion luftarak rumun F-16, pjesë e misionit të policimit ajror të Aleancës në Baltik, e rrëzoi dronin mbi territorin estonez.
Hanno Pevkur shprehet: “Avionët e misionit të policimit ajror ishin gjithashtu në ajër. Në këtë rast konkret, avionët rumunë F-16 e rrëzuan dronin. Ai ka rënë në një zonë kënetore dhe kërkimet po vazhdojnë.”
Një ditë më pas, më 20 maj, Lituania aktivizoi për herë të parë alarmin kombëtar për rrezik nga ajri. Qytetarët e Vilniusit u urdhëruan të strehoheshin. Aeroporti i kryeqytetit pezulloi trafikun. Shkollat dhe kopshtet kaluan në masa emergjente. Deputetët u zhvendosën në strehimore nëntokësore. Për disa orë, një kryeqytet i NATO-s përjetoi skena që zakonisht shihen vetëm në vende të përfshira në luftë.
Robertas Kaunas thotë: “Tani kemi një depërtim ajror në hapësirën ajrore lituaneze. Misioni i policimit ajror të NATO-s është aktivizuar dhe po ndjek dronin që kemi zbuluar.”
Megjithatë, edhe këto zhvillime nuk do të rezultonin kulmi i krizës. Përshkallëzimi më serioz ndodhi në Rumani. Një dron i tipit Shahed, i përdorur nga Rusia kundër Ukrainës, goditi një pallat banimi në qytetin Galați, pranë kufirit ukrainas. Shpërthimi shkaktoi zjarr në katin e dhjetë të ndërtesës. Rreth 70 persona u evakuuan. Dy civilë mbetën të plagosur. Ishte hera e parë që qytetarë të një vendi anëtar të NATO-s lëndoheshin nga një dron i lidhur me luftën në Ukrainë. Autoritetet rumune ngritën menjëherë në fluturim avionët F-16, por ushtria kishte vetëm katër minuta kohë nga momenti i zbulimit të dronit deri në përplasjen e tij.
Presidenti rumun Nicușor Dan deklaroi se droni me shumë gjasa ishte goditur nga mbrojtja ajrore ukrainase mbi territorin ukrainas dhe kishte ndryshuar trajektore. Por kjo nuk e zvogëloi gravitetin e ngjarjes. Dan e cilësoi incidentin si ngjarjen më serioze që ka prekur territorin rumun që nga fillimi i agresionit rus kundër Ukrainës. Bukureshti kërkoi nga NATO përshpejtimin e dërgimit të sistemeve kundër dronëve, ndërsa vendet e Bashkimit Europian deklaruan se Rusia kishte kaluar një tjetër vijë të kuqe. Në një telefonatë me presidentin rumun, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, garantoi mbështetjen e plotë të Aleancës.
Mark Rutte deklaron: “NATO qëndron e gatshme të mbrojë çdo centimetër të territorit aleat. Ne do të vazhdojmë të forcojmë gatishmërinë tonë për të parandaluar dhe mbrojtur kundër çdo kërcënimi, përfshirë dronët.”
Ndërsa Ukraina intensifikon sulmet me rreze të gjatë kundër objektivave ruse në rajonin e Detit Baltik dhe Rusia zgjeron përdorimin e luftës elektronike për t’i neutralizuar ato, rreziku i devijimit të dronëve po rritet ndjeshëm. Dhe nëse deri dje këto mjete pa pilot shiheshin si armë të një lufte që zhvillohej qindra kilometra larg, sot ato po bien në oborret, pyjet dhe qytetet e vendeve anëtare të NATO-s. Një realitet i ri sigurie që po e detyron Aleancën të përballet me një pyetje gjithnjë e më urgjente: si të menaxhohet një luftë që nuk njeh më kufij të qartë. (A2 Televizion)