Shirat e dendur dhe përmbytjet kanë prekur disa pjesë të Indisë, javët e fundit, duke vrarë shumë njerëz dhe duke zhvendosur mijëra të tjerë. Përmbytjet nuk janë të rralla në Azinë Jugore në këtë kohë të vitit, kur rajoni ka pjesën më të madhe të reshjeve. Por ndryshimi i klimës i ka bërë shirat e musonit më të çrregullt, me reshje masive në një hark kohor të shkurtër që ndiqet më pas nga periudha të zgjatura thatësie.Tani shkencëtarët thonë se një lloj stuhie, e njohur si një “lumë atmosferik”, po i përkeqëson gjërat.
Të njohura edhe si "lumenj fluturues", këto stuhi lindin në oqeane të ngrohta, ndërsa uji i detit avullon. Avulli i ujit formon një brez ose një kolonë në pjesën e poshtme të atmosferës, e cila lëviz në gjerësi më të ftohta dhe zbret si shi ose borë, aq shkatërrues sa mund të shkaktojë përmbytje ose ortekë vdekjeprurës. Ndërsa toka ngrohet më shpejt, shkencëtarët thonë se këta lumenj atmosferikë janë bërë më intensiv, duke vënë në rrezik qindra milionë njerëz në mbarë botën nga përmbytjet.
Në Indi, meteorologët thonë se ngrohja e Oqeanit Indian ka krijuar "lumenj fluturues" që po ndikojnë në shirat e musonit midis qershorit dhe shtatorit. Një ekip shkencëtarësh nga Instituti Indian i Teknologjisë (IIT) dhe Universiteti i Kalifornisë, të cilët u përfshinë në studim, zbuluan gjithashtu se 7 nga 10 përmbytjet më të rënda të Indisë në stinët e musoneve midis 1985 dhe 2020 ishin të lidhura me lumenjtë atmosferikë. Në prill 2023, Iraku, Irani, Kuvajti dhe Jordania u goditën të gjithë nga përmbytje katastrofike pas bubullimave të forta, stuhive dhe reshjeve të jashtëzakonshme. Meteorologët më vonë zbuluan se qielli në të gjithë rajonin mbante një sasi rekord lagështie. (A2 Televizion)