Macron drejt disfatës? Ekstremi i djathtë synon të bëjë historinë në Francë

Nga Rosalba Bejdo
30 Qershor 2024, 08:41 | Bota

Francezët votojnë sot në zgjedhjet parlamentare që mund të rishkruajnë historinë, teksa e djathta ekstreme është më pranë pushtetit, se asnjëherë tjetër në kohërat moderne.

Partia Tubimi Kombëtar e Marin Le Pen dhe Jordan Bardella, ka përparësi të konsiderueshme në sondazhe, 3 javë pasi fitoi zgjedhjet europiane.

Presidenti Emmanuel Macron, reagoi menjëherë duke thirrurz gjedhjet e parakohshme, një lëvizje që befasoi francezët.

Pjesëmarrja në votim pritet të jetë e lartë mes 49 milionë votuesve , pasi zgjedhjet konsiderohen si tejet të rëndësishme dhe në qytetet e mëdha qendrat e votimit mbyllen në orën 20:00.

Ato do të zhvillohen në dy raunde dhe për shumicën e vendeve në Asamblenë prej 577 pjesëtarësh do të duhet pritur raundi i dytë, të dielën e ardhshme.

Fushata zgjedhore zgjati vetëm 20 ditë, diçka që duket se i shkoi për shtat Tubimit Kombëtar, që ripërtëriu me shpejtësi premtimet ekzistuese mbi kufizimin e emigracionit, krimit dhe pasigurisë, ashtu si edhe reduktimit të taksave për të luftuar koston e lartë të jetesës.

Jordan Bardella synon të zgjidhet kryeministri i parë nga ekstremi i djathtë, dhe partia e tij beson se do të mund të fitojë në dhjetëra zona elektorale që në raundin e parë.

Por ai ka thënë se do të marrë postin vetëm nëse partia e tij siguron shumicën absolute prej 289 vendesh në parlament.

Macron, ndërkaq ka dënuar “racizmin apo antisemitizmin”. Por, mbështetja për kampin centrist të Macronit ka rënë dhe partitë e krahut të majtë tejkaluan mosmarrëveshjet e tyre dhe u bashkuan për të garuar në kuadër të Frontit të Ri Popullor.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos