
Presidenti francez Emmanuel Macron po përgatit Francën për një epokë të re të dominimit të armëve bërthamore, në një kohë kur lufta mes Iranit, SHBA-së dhe Izraelit po përshkallëzohet dhe po rrit pasigurinë globale.
Sipas raportimit, Macron ka paralajmëruar se bota po hyn në një “epokë të armëve bërthamore”, duke theksuar nevojën që Franca të forcojë kapacitetet e saj ushtarake dhe veçanërisht arsenalin bërthamor. Ai ka njoftuar rritjen e numrit të kokave bërthamore dhe një strategji të re “parandalimi të avancuar”, që përfshin edhe bashkëpunim më të ngushtë me vendet evropiane, raporton A2CNN.
“Çfarë dua më shumë se gjithçka tjetër, siç do ta keni kuptuar, është që europianët të rikthejnë kontrollin mbi fatin e tyre,” tha Macron. Në fjalimin e tij, ai shtoi: “Ne ndodhemi në një univers strategjik tjetër.”
“Gjysma e ardhshme e shekullit do të jetë një epokë e armëve bërthamore.”
Kjo lëvizje vjen në sfondin e luftës në Lindjen e Mesme, e cila nisi pas sulmeve të përbashkëta të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit dhe ka përshkallëzuar tensionet në rajon, duke përfshirë sulme ndaj infrastrukturës dhe kërcënime për rrugët globale të energjisë.
Ndërkohë, Macron ka theksuar se Franca po rrit praninë ushtarake në rajon për qëllime mbrojtëse, duke synuar të mbrojë qytetarët e saj dhe aleatët në Gjirin Persik, si dhe të garantojë sigurinë e rrugëve detare strategjike.
Ai ka bërë gjithashtu thirrje për uljen e tensioneve dhe për rikthimin e stabilitetit, duke kërkuar që Irani të ndalë sulmet në rajon dhe të rikthejë lirinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit.
Politika e re franceze shihet si një sinjal se Europa po përgatitet për një realitet më të rrezikshëm gjeopolitik, ku armët bërthamore po marrin sërish rol qendror në strategjitë e sigurisë. (A2 Televizion)