Koloneli Dritan Demiraj, është shprehur se informacionet dhe deklaratat që kanë dalë për shkeljet e administratës së kaluar në SHBA, janë vetëm maja e ajzbergut të atyre që do të dëgjohen në javët në vazhdim.
Komentet Demiraj i bëri në ‘Ditari i Pasditës’ me gazetaren Bruna Çifligu në A2 CNN, ku komplimentoi punën e Presidentit Donald Trump në politikën e jashtme amerikane.
Demiraj tha gjithashtu se Trump po shmang konfliktet e gjera botërore dhe sipas tij, për herë të parë pas shumë vitesh SHBA-të kanë dalë si udhëheqës i padiskutueshëm i botës.
Ai shtoi gjithashtu se Trump po luan një politikë të zgjuar, teksa po përpiqet sipas tij që ta afrojë Rusinë në orbitën e vet, duke ndalur kështu, një bashkim të mundshëm me Kinën.
“Të gjitha këto informacione dhe deklarata që kanë dalë nga shkeljet e administratës së kaluar në SHBA, janë vetëm maja e ajzbergut të atyre që do dëgjoni gjatë javëve dhe muajve në vijim, për shkak se administratat e kaluara kanë qenë administrata që kanë dështuar në mënyrë spektakolare në të gjitha vendimet e politikës së jashtme.
Trump për herë të parë, të paktën në këto 4 vitet e fundit, ka dalë si një superfuqi e vetme, e padiskutueshme, e pasfidueshme, por që do të duhet ta ruajë këtë status, nëpërmjet gjetjes së rrugëve paqësore, jo nëpërmjet konfliktit me Federatën Ruse, apo me Kinën, në Detin e Kinës Jugore, Lindore, në atë që njihet si Azia e Largët. Sepse një konflikt i tillë jo vetëm do ta dobësonte Amerikën, por të pamundësonte një fitore ushtarake në rast të një konflikti të përbashkët.
Një nga karakteristikat më të veçanta që unë nuk e kam parë në këto komentet e javëve të fundit, është përpjekja fantastike e Trump për ta afruar në orbitën e vetë Vladimir Putin, sepse siç e ka thënë edhe Kissinger, SHBA duhet të bëjë maksimumin që të mos lejojë bashkimin në një front të vetëm të Rusisë, Kinës dhe fuqive të tjera”, tha Demiraj, shkruan A2 CNN. (A2 Televizion)