Mbi katër vjet pas aksidentit që i mori jetën djalit të saj, Kumrije Temaj vazhdon të kërkojë drejtësi për të birin. 23-vjeçari Jeton Temaj ishte aksidentuar në maj të vitit 2022, ndërsa kishte ndërruar jetë më 16 korrik të po atij viti, si pasojë e gjakderdhjes në tru.
Për këtë rast, në nëntor të vitit 2024, Gjykata Themelore në Pejë, dega në Klinë, e kishte dënuar Eraj Temajn me dy vjet burgim për veprën penale “Rrezikim i trafikut publik”. Megjithatë, Gjykata e Apelit e kishte kthyer rastin në rigjykim.
“Me mbyt një jetim, e me më lënë një nënë të vetmuar. 22 vjeçar djali në lule të rinisë, as në paraburgim nuk është, tmerr ku jemi duke jetuar”.
“Është dënuar i akuzuari me dy vjet, po unë nuk e pranoj atë. Ai zog i pulës nuk ka qenë, jetim e kam rritë, pas 13 viteve e kam pas. Sot, unë jam femër, po dal po e vrajë apo po e mbys e me mi dhënë dy vjet. Tmerr ku jemi duke jetu”.
Për Kumrijen, dita sot nisi në Ministrinë e Drejtësisë. Ajo dhe avokati që e përfaqëson thonë se të hënën janë ftuar në takim nga këshilltari i ministres Donika Gërvalla, ku do të paraqesin materialet që posedojnë dhe do të diskutojnë për ankesën që synojnë ta adresojnë në Këshillin Gjyqësor të Kosovës.
“Boll më. Nuk mundem qe pesë vite duke u end herë andej, herë këndej. Unë veç që shihem si figurë se zemrën e kam të kalltë. Një jetim të mbytet e të mos merret ky rast, ai është dashur moti të ishte i burgosur as në paraburgim nuk është. Plus me ta lënë djalin fajtorë, po unë nuk e pranoj. Nuk ka me lënë derë pa trokitë e pa e qitë rastin në dritë”
Rasti aktualisht është në rigjykim, ndërsa Kumrije Temaj thotë se beson që një ditë drejtësia për të birin do të vihet në vend. Ajo thotë se autopsia, sipas saj, dëshmon rrethanat e vdekjes së djalit.
“Është autopsia, kryen punë. Pse me shkru “Rrezikim i trafikut publik” , djalin në gjendje kritike...Djali ka pasur lëndime në kokë. Dy anët e kockave i ka pasur të thyera, tre vende njërën anë, tre këndej. 32 të qepura në njërën anë, 27 anën tjetër. Kapakun e hequr të kokës, gjakderdhje, me oksigjen në hundë, e me frymëmarrje në gojë. Djalin pa vetëdije, me pa trupin e tij dhunë çka ka pasë, krejt trupi i tij zi ka qenë”.
Gjykata kishte gjetur se i akuzuari Eraj Temaj ishte përgjegjës për veprën penale “rrezikim i trafikut publik”, por nëna e të ndjerit ka dyshime të tjera.
“Unë dyshoj se i kanë ra me shufra ose besoj që e kanë rrokë me makinë prej përpara, e kanë gjuajtur nga lartë, e kanë ulë në bagazh, e kanë rrëzuar, e tani i kanë ra prapë me shufër. I kam gjete edhe shufrat, po as në dorë nuk i kanë marrë”
Kumrija thotë se jeta e saj ka ndryshuar që nga humbja e të birit. Ajo ka edhe një thirrje për kryeministrin Albin Kurti.
“I bëjë thirrje Kryeministrit Albin Kurti, le ta merrë këtë rast në dorë. Ose ja dërgoj autopsinë në zyre nëse më pranon, se ma kanë shkruar rrezikim i trafikut publik. Kurse në autopsi shkruan se vdekja e të ndjerit është vdekje e dhunshme, që ka goditje me mjet mekanik i mprehtë, i fortë”
Ndërkohë, sipas aktakuzës ngjarja kishte ndodhur kur Jeton Temaj ishte ulur mbi bagazhin e automjetit të Eraj Temajt. Gjatë lëvizjes së veturës, ai kishte humbur ekuilibrin dhe kishte rënë në asfalt, duke pësuar lëndime të rënda, nga të cilat kishte ndërruar jetë më 16 korrik 2022. (A2 Televizion)