Të paktën tre persona u plagosën rëndë dhe disa të tjerë pësuan lëndime të lehta, pasi një makinë u përplas me një grup njerëzish në qytetin jugperëndimor gjerman të Shtutgartit. Mediat gjermane bëjnë të ditur se shoferi i automjetit nuk u lëndua. Ai u arrestua dhe po merret në pyetje.
Pas një hetimi paraprak, Policia e Shtutgartit tha se beson që ishte një aksident tragjik trafiku. "Aktualisht nuk ka shenja të një sulmi apo një akti të qëllimshëm", tha policia në X.
"Burri që u ndalua nuk u përpoq të arratisej", përgjigj një zëdhënës i policisë interesit të mediave, duke iu referuar shoferit të Mercedesit të zi që goditi disa persona.
Incidenti ndodhi në zonën e Olgaeck dhe oficerët ishin në vendngjarje me një forcë të madhe.
Mjeti i përfshirë në incident, një SUV luksoz Mercedes G-Class, mbeti në vendngjarje pranë një stacioni tramvaji. Sipas zëdhënësit të policisë, shërbimi në stacionin e tramvajit u pezullua.
Policia tha se operacioni po vazhdonte dhe se aktualisht kishte kufizime të rrepta trafiku në qendër të Shtutgartit, që është kryeqyteti i Baden-Ëürttemberg .
Ndërkohë, Brigada e Zjarrfikësve të Shtutgartit tha se iu përgjigj një aksidenti të rëndë trafiku me shumë të lënduar në qendër të qytetit.
"Zona është e rrethuar dhe të plagosurit po trajtohen në vendngjarje", tha ajo në X.
Departamenti i zjarrfikësve shtoi më vonë se disa persona u plagosën në aksident, përfshirë disa në gjendje të rëndë.
Aksidenti rrugor vjen pasi Gjermania përjetoi disa sulme vdekjeprurëse me makina në muajt e fundit, duke përfshirë qytetin lindor të Magdeburgut dhe qytetin jugor të Mynihut. (A2 Televizion)