“Marrëdhëniet tona stabilizojnë botën”, Putin nis vizitën në Kinë

Nga A2 CNN
16 Maj 2024, 07:14 | Bota

“Marrëdhëniet tona stabilizojnë botën”, Putin

Me një ceremoni shtetërore madhështore ka nisur vizita dyditore e presidentit të Rusisë, Vladimir Putin në Kinë.

Kreu i Kremlinit u prit në sheshin Tienanmen nga presidenti Xi Jinping, me të cilin pati një shtrëngim vëllazëror duarsh dhe më pas ndoqën së bashku aktivitetet e përgatitura.

“Marrëdhëniet mes Rusisë dhe Kinës janë faktorë stabilizues për botën. Nuk janë oportuniste dhe nuk janë kundër askujt. Bashkëpunimi ynë në çështjet ndërkombëtare është një ndër faktorët stabilizues në skenën ndërkombëtare”, tha presidenti rus.

Sipas agjencisë së lajmeve Reuters, delegacioni i Putin përbëhet nga ministri i ri i Mbrojtjes, Andrei Belousov, paraardhësi i tij, Sergeri Shoigu, ministri i Jashtëm Lavrov dhe këshilltari për politikat e jashtme, Yuri Ushakov.

Putin dhe Xi Jinping pritet të diskutojnë për disa çështje dypalëshe, për bashkëpunimin ekonomik dhe forcimin e marrëdhënieve, teksa në fund do të ketë dhe nënshkrime marrëveshjesh.

Të dy liderët do të kenë dhe një konferencë të përbashkët për shtyp.

Kjo shënon vizitën e parë të jashtme të Putinit që nga betimi për një mandat presidencial gjashtëvjeçar që do ta mbajë atë në pushtet të paktën deri në vitin 2030.

Kujtojmë se pak para nisjes së sulmeve në Ukrainë, Rusia dhe Kina deklaruan partneritet pa kufij mes tyre.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos