Një delegacion nga Ukraina ka mbërritur sot në Uashington DC për t’u takuar me ekipin e Presidentit Donald Trump.
Sipas mediave të huaja, grupi kryesohet nga ministrja Yulia Svyrydenko dhe përfshin anëtarë nga ekipi i saj i thesarit, si dhe Andriy Yermak, shefi i stafit të Presidentit Volodymyr Zelenskyy.
Yermak postoi rreth udhëtimit dhe tha se ata do të takoheshin me anëtarë të ekipit të Donald Trump, shkruan A2 CNN.
Ai përshkroi një sërë temash që do të diskutonin me administratën, si dhe me politikanët demokratë dhe republikanë.
Kjo përfshinte marrëveshjen e nënshkruar për mineralet dhe bisedimet në Stamboll mes Rusisë dhe Ukrainës.
"E vërteta është në anën tonë," tha Yermak, shkruan A2 CNN.
Kjo vjen në një kohë kur projektligji i senatorit Lindsey Graham për të vendosur më shumë sanksione ndaj Rusisë pritet të miratohet këtë javë.
Politikani nga Karolina e Jugut ka përshkruar legjislacionin që vendos një tarifë prej 500% për mallrat e importuara nga vendet që blejnë naftë, gaz, uranium dhe produkte të tjera ruse. (A2 Televizion)