Masakër me ushtarët koreanoverior, Kremlini thotë se nuk ka asnjë plan për takim Putin-Trump

Nga A2 CNN
23 Dhjetor 2024, 12:11 | Bota

Luftëtarët komunistë të Kim Jong-un kanë pësuar një disfatë të madhe në luftën e Rusisë në Ukrainë. Mbi një mijë ushtarë të Koresë së Veriut u vranë ose u plagosën ndërsa luftonin përkrah trupave të Putinit kundër forcave të Kievit.

Këto janë vlerësimet e ushtrisë së Koresë së Jugut, që i referohen të dhënave të marra nga shërbimi sekret i tyre. Thuhet se masakrimi i ushtarëve të koresë komuniste ka ardhur pasi janë përdorur si trupave sulmuese në linjë të parë dhe në fushëbeteja të panjohura, gjithashtu edhe nga mungesa e përvojës me dronët.

CNN raporton se luftëtarëve koreanoverior u ishin dhënë dokumente ushtarake false me emra rusë dhe vendlindje brenda Federatës. Kjo ka ardhur pasi Ukraina konfirmoi vrasjen e disa ushtarëve në rajonin perëndimor rus të Kursk.

Përllogaritjet e inteligjencës amerikane, ukrainase dhe koreano-jugore tregojnë se numri i ushtarëve të Koresë së Veriut në Rusi është nga 11,000 deri në 12,000, disa prej të cilëve tashmë janë angazhuar në operacione luftarake.

Seuli thotë se Koreja komuniste është gati të dërgojë ushtarë të tjerë për të luftuar për Moskën. Wall Street Journal raporton se Koreja e Veriut po thellon bashkëpunimin ushtarak me Rusinë, duke shtuar furnizimet për armë në këmbim të parave dhe naftës.

Ndërkohë, zëdhënësi i kremlinit, Dmitry Peskov, konfirmoi për agjencinë e lajmeve Tass se ende nuk ka diçka konkrete në organizimin e një takimi mes liderit rus Vladimir Putin dhe presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump.

“Deri më tani nuk ka asnjë plan konkret”, u shpreh zëdhënësi. Në pritje të këtij ballafaqimi, Putin priti në Kremlin kryeministrin e Sllovakisë, Robert Fico, që zhvilloi një vizitë surprizë në Moskë, duke u bërë lideri i tretë perëndimor që shtrëngon duart me presidentin rus që prej nisjes së luftës në Ukrainë. Ata diskutuan furnizimin me gazin rus në Sllovaki.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos