Sfidat e biznesit, zgjidhje te brezi i ri. Të rinjtë prezantojnë idetë inovative para kompanive private

Nga Ornela Joti
26 Tetor 2026, 13:58 | Sociale

Kompani të mëdha në tregun shqiptar po aplikojnë një qasje të re në punën e tyre. Energjinë, kreativitetin dhe vizionin e brezit të ri po i shfrytëzojnë si një armë të fortë për t'u dhënë zgjidhje sfidave të tyre teknologjike apo operacionale.

Përmes një projekti të mbështetur nga Fakulteti i Ekonomisë në Tiranë, 30 studentë të Ekonomisë dhe Inovacionit janë njohur me sfidat reale të gjashtë kompanive të mëdha, ku me vizionin dhe përgatitjen e tyre, ata do të ofrojnë zgjidhje.

“E cila ka në fokus pikërisht sjelljen e një qasjeje të re të të mësuarit, të mësuarit në praktikë, ose, siç njihet ndryshe, challenge-based learning”, thotë Alba Skëndaj, drejtuese e projektit. “Këta studentë të përzgjedhur do të punojnë në grupe prej pesë anëtarësh për secilën sfidë. Ata do të mentorohen për të identifikuar problemin, për ta vlerësuar atë dhe për të menduar se cilat janë zgjidhjet që, nën optikën e së ardhmes, do t'u shërbejnë klientëve”.

Gener 2 është një nga kompanitë mbështetëse të projekteve dhe ideve inovative të studentëve shqiptarë.

“Ne jemi si biznes, partnerë, për të prezantuar një nga sfidat tona: si të përdorim teknologjinë dhe inteligjencën artificiale për të ofruar eksperienca më të mira për klientët, por edhe për të menaxhuar më mirë projektet që kemi dhe projektet e reja të ndërtimit”, thotë Renato Civili, drejtor i PR, Gener 2.

“Jemi shumë kuriozë të shohim kërkesat dhe preferencat e tyre për projektet e reja të ndërtimit në Shqipëri, si dhe të kuptojmë idetë e tyre inovative, si të ofrojmë eksperienca më të mira dhe për të krijuar sisteme më të mira për menaxhimin e projekteve tona të ndërtimit”.

Vetë të rinjtë shprehen optimistë për këtë projekt, por edhe për idetë që kanë ofruar për bizneset e ndryshme.

“Është një eksperiencë që nuk duhet humbur. Unë, si student, e kam gjetur të arsyeshme pjesëmarrjen në këtë bootcamp inovacioni, sepse rrjeti i kontakteve që do të krijojmë këtu besoj se do të jetë shumë i rëndësishëm. Edhe mënyra se si do të veprohet është një metodë që është ndjekur edhe në biznese ndërkombëtare dhe ka rezultuar efikase”, thotë njëri prej tyre.

Krahas mbështetjes për këtë projekt, një pjesë e të rinjve janë përzgjedhur nga kompanitë për t'u bërë pjesë e bizneseve të tyre. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos