Sulmet në Rripin e Gazës nuk kanë të ndalur. Afro 20 palestinezë kanë mbetur të vdekur si pasojë e sulmeve izraelite ditën e hënë. Gjashtë nga personat e vrarë ishin pjesë e personelit që ndihmonin familjet e zhvendosura.
Katër persona, dy prej tyre fëmijë, u vranë në një sulm ajror izraelit në një kamp tende në zonën bregdetare të Al-Mawasi, të përcaktuar si zonë humanitare, ndërsa dy u vranë në strehimore të përkohshme në qytetin jugor Rafah dhe një tjetër me dron, thanë zyrtarët shëndetësorë.
Në qytetin Beit Lahiya në Gazën veriore, mjekët thanë se një raketë izraelite goditi një shtëpi, duke vrarë të paktën dy persona dhe duke plagosur disa të tjerë. Të dielën, mjekët dhe banorët thanë se dhjetëra njerëz u vranë ose u plagosën në një sulm ajror izraelit në një ndërtesë banimi shumëkatëshe në qytet. Ministria e Shëndetësisë në Gaza tha se sulmet ushtarake izraelite kishin vrarë 76 palestinezë në të gjithë enklavën në 24 orët e fundit.
Ndërkohë nga Brazili, Presidenti i SHBA, Joe Biden bëri thirrje për ti bërë presion Hamasit për armëpushim.
“Siç e kam thënë më parë, Izraeli ka të drejtë të mbrohet pas masakrës më të keqe që kanë përjetuar hebrenjtë që nga Holokausti. Por, mënyra se si mbrohet, edhe pse Hamasi fshihet mes civilëve, ka një rëndësi të madhe. Shtetet e Bashkuara kanë udhëhequr botën në ndihmën humanitare për Gazën dhe ne do të vazhdojmë të shtyjmë për të përshpejtuar një marrëveshje armëpushimi që garanton sigurinë e Izraelit, sjell pengjet në shtëpi dhe i jep fund vuajtjeve të popullit dhe fëmijëve palestinezë. Kërkoj nga të gjithë këtu që të rrisin presionin ndaj Hamasit, i cili aktualisht po e refuzon këtë marrëveshje”, tha Joe Biden, President i SHBA.
Por kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu është tepër i vendosur për të eliminuar përfundimisht rrezikun e Hamasit. Duke folur në Komitetin e Punëve të Jashtme dhe Mbrojtjes të Parlamentit të Izraelit, Benyamin Netanyahu deklaroi se "e vetmja gjë që dëshiron Hamasi është një marrëveshje që i jep fund luftës dhe që ushtria të largohet nga Rripi i Gazës për t'u kthyer në pushtet.
Unë nuk jam gati për këtë vendim”, tha Netanyahu. Netanyahu ndërkohë tha se kishte dhënë udhëzime për të pasur një plan në tryezën e tij deri të enjten për të zëvendësuar Hamasin në shpërndarjen e ndihmave humanitare. (A2 Televizion)