Një zjarr i madh ka përfshirë godinën e një spitali në qytetin Yekaterinburg të Rusisë, duke detyruar shumë persona të hidhen nga dritaret për t’i shpëtuar flakëve.
Mediat lokale raportojnë se operacionet e evakuimit janë në zhvillim për të shpëtuar pacientët dhe persona të tjerë që gjenden në godinë.
Pamjet tronditëse tregojnë re të dendura tymi të zi që ngrihen në qiell, ndërsa shërbimet e zjarrfikësve po mundohen të shuajnë zjarrin. Në videot e bëra virale në rrjetet sociale, njerëz shihen teksa dalin nga dritaret për t’i shpëtuar flakëve.
Sipas dëshmitarëve, kur shpërtheu zjarri ishin duke u kryer punime në çatinë e spitalit. Dyshohet se një sharrë elektrike mund të ketë shkaktuar flakët, megjithatë ky informacion nuk është konfirmuar ende nga autoritetet, shkruan A2.
Ministria e Situatave të Jashtëzakonshme ka njoftuar se zjarri ka përfshirë një sipërfaqe prej rreth 200 metrash katrorë dhe se 350 persona kanë arritur të dalin vetë nga ndërtesa. 48 persona dhe 16 njësi të pajisjeve të shpëtimit po punojnë në vendin e ngjarjes. Për momentin, nuk ka raportime për viktima, megjithatë disa punëtorë janë lënduar.
(A2 Televizion)