Mbetjet e dyshuara të raketës kineze bien mbi një fshat

Nga A2 CNN
25 Qershor 2024, 14:19 | Bota

Mbetjet e dyshuara të raketës kineze bien mbi një fshat

Mbetjet e dyshuara nga një raketë kineze ranë në tokë mbi një fshat në Kinën jugperëndimore, duke lënë një gjurmë tymi të dukshme pas. Në videot e publikuara në mediat kineze, banorët e zonës shihen duke u larguar me shpejtësi. Pamjet u shfaqën në internet menjëherë pasi një raketë transportuese, Long March 2C, shpërtheu të shtunën nga qendra e nisjes satelitore Xichang.

Raketa dërgoi në orbitë një satelit të fuqishëm të zhvilluar nga Kina dhe Franca për të studiuar shpërthimin më të largët të yjeve, të njohur si shpërthime të rrezeve gama. Udhëheqësi kinez, Xi Jinping, është zotuar ta shndërrojë vendin në një fuqi dominuese hapësinore, duke shtuar misionet për të konkurruar me fuqitë e tjera të mëdha botërore, përfshirë Shtetet e Bashkuara.

Nisja e së shtunës u shpall një "sukses i plotë" nga Korporata e Shkencës dhe Teknologjisë së Hapësirës Ajrore të Kinës, një kontraktor shtetëror që zhvilloi raketën Long March 2C. Mirëpo një video e postuar shfaq një pjesë të gjatë në formë cilindrike që bie mbi një fshat dhe përplaset pranë një kodre. Të tjera video që qarkullonin u hoqën të hënën pasdite.

Dëshmitarët në rrjetet sociale thanë se dëgjuan një shpërthim të fortë pasi pjesët ranë në tokë. Banorëve iu kërkua të linin shtëpitë e tyre dhe të shpërndaheshin në zona më të hapura. Ata u paralajmëruan gjithashtu t’i qëndronin larg mbetjeve për të parandaluar dëmtimin nga gazi toksik ose shpërthime të mundshme. Banorët gjithashtu ishin “rreptësisht të ndaluar” të bënin fotografi të mbetjeve ose të “përhapnin videot përkatëse në internet”. Nuk ka pasur sakaq asnjë raportim nga autoritetet lokale për të lënduar.

Mbetjet nga raketat kineze kanë goditur fshatrat edhe më parë. Në dhjetor 2023, mbetjet e një rakete ranë në provincën jugore Hunan, duke dëmtuar dy shtëpi. Ndërsa në vitin 2002, një djalë në Kinën veriore u plagos kur fragmente nga një lëshim satelitor ranë në fshatin e tij në provincën Shaanxi. Kina është përballur shpesh me kritika nga komuniteti ndërkombëtar hapësinor për trajtimin e mbetjeve të raketave. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos