'Ju japim armë t'i vrisni në fushë', plani i Trump për t’i dhënë fund luftës mes Rusisë dhe Ukrainës

Nga A2 CNN
25 Qershor 2024, 10:29 | Bota

Donald Trump ka një plan për t’i dhënë fund luftës së Ukrainës me Rusinë dhe duket se pesha do të rëndojë më shumë mbi Kievin. Burime për agjencinë e lajmeve Reuters, bëjnë me dije se, dy këshilltarët më të afërt të ish-Presidentit amerikan, i kanë paraqitur atij planin për t'i dhënë fund luftës së Rusisë në Ukrainë, nëse ai fiton zgjedhjet presidenciale.

Plani parashikon një angazhim më të madh të SHBA për furnizime me armë për Ukrainën nëse kjo e fundit hyn në bisedimet e paqes me Rusinë.

Nga ana tjetër, Shtetet e Bashkuara do të paralajmërojnë në të njëjtën kohë Moskën se çdo refuzim për të negociuar do të rezultonte në rritjen e mbështetjes së SHBA për Ukrainën, citon Reuters. 

Sipas planit të hartuar nga ish-gjenerali Keith Kellogg dhe Fred Fleitz, të cilët të dy kanë shërbyer si shefa shtabi në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Trump gjatë presidencës së tij 2017-2021, do të kishte një armëpushim bazuar në linjat mbizotëruese të betejës gjatë bisedimeve të paqes.

Ata ia kanë paraqitur strategjinë e tyre Trumpit dhe ish-presidenti është përgjigjur pozitivisht, tha Fleitz.

"Unë nuk po pretendoj se ai ishte dakord me të ose ishte dakord me çdo fjalë të tij, por ne ishim të kënaqur që morëm reagime pozitive", tha ai.

"Ne u themi ukrainasve: Duhet të vini në tryezë dhe nëse nuk vini në tryezë, mbështetja nga Shtetet e Bashkuara do të mungojë. Po ashtu ju i thoni presidentit rus Vladimir Putin, 'Ai duhet të vijë në tryezë dhe nëse nuk vjen në tryezë, atëherë ne do t'u japim ukrainasve gjithçka që u nevojitet për t'ju vrarë në fushë", u shpreh Keith Kellogg, ish gjeneral i SHBA 

Pak është e qartë nëse republikanët do të bien dakord më planin e Trump për rritjen e shpenzimeve për Ukrainën. Shtetet e Bashkuara kanë shpenzuar më shumë se 70 miliardë dollarë për ndihmën ushtarake për Ukrainën që nga pushtimi i Moskës.

Sakaq, Putin e ka bërë shpesh herë të qartë, se lufta mund të përfundojë nëse Ukraina pranon të heqë dorë nga ambiciet e saj për t'u bashkuar me NATO-n dhe të mos pretendojë më katër provincat lindore dhe jugore të aneksuara nga Rusia. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos