Mbi 100 viktima në Gaza, Netanjahu: Marrëveshja është arritur, e firmosim sot

Nga Erjon Dervishi
17 Janar 2025, 10:29 | Bota

Kabineti i sigurisë në Izrael do të takohet sot për t’i dhënë aprovimin final ujdisë me grupin militant të Hamasit për armëpushim në Gaza dhe lirimin e pengjeve. Kryeministri Izraelit Benjamin Netanjahu konfirmoi se marrëveshja është arritur, pasi u tejkaluan edhe mospajtimet e fundit me Hamas, transmeton A2 CNN.

Mes ndasive të thella në kabinet, Izraeli e shtyu takimin gjatë së cilit do të votohej pakti, duke fajësuar Hamasin për këtë. Por më vonë, Netanjahu u informua nga ekipet negociuese se mosmarrëveshjet që kishin të bënin me lirimin e pengjeve dhe të burgosurve palestinezë u sheshuan, shkruan A2 CNN.

Por teksa armëpushimi pritet të hyjë në fuqi të dielën, banorët e gazës vijojnë të përjetojnë orë dramatike. Avionët izraelitë kanë vazhduar sulmet intensive, me autoritetet palestineze që thonë se mbi 100 persona përfshirë, 27 fëmijë dhe 31 gra janë vrarë gjate 2 diteve te fundit, dhe 264 të tjerë janë plagosur, raporton A2 CNN.

Sulmet ajrore kanë goditur një sërë zonash rreth Gazës edhe mëngjesin e së premtes. Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, John Kirby tha se Uashingtoni beson që armëpushimi për konfliktin 15 mujor, do të fillojë të implementohet që këtë fundjavë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos