
Situata në Iran po përkeqësohet, ndërsa represioni ndaj protestuesve ka shkaktuar mijëra viktima. Sipas Iran International, numri i të vdekurve ka shkuar në të paktën 12 mijë, shumica nën moshën 30 vjeç, ndërsa autoritetet iraniane flasin për rreth 3 mijë viktima. Ndërkohë, pritet ekzekutimi i një protestuesi 26-vjeçar, i arrestuar gjatë demonstratave.
Presidenti amerikan Donald Trump u ka bërë thirrje iranianëve të vazhdojnë protestat dhe të “marrin kontrollin e institucioneve”. A2 CNN raporton se ai ka anuluar të gjitha takimet me zyrtarët iranianë, duke shtuar se “ndihma është në rrugë e sipër” për protestuesit. Duke folur në Detroit, Trump paralajmëroi se përgjegjësit për dhunën “do të paguajnë një çmim shumë të lartë”.
"Patriotë iranianë, vazhdoni të protestoni, merrni kontrollin e institucioneve tuaja!!! Shkruani emrat e vrasësve dhe abuzuesve. Ata do të paguajnë një çmim të lartë. Kam anuluar të gjitha takimet me zyrtarët iranianë derisa të ndalet vrasja e pakuptimtë e protestuesve. Ndihma është duke ardhur. Miga!!!", shkroi ai në Truth, duke përdorur sloganin "Maga" (Ta bëjmë Iranin të Madh përsëri).
Sipas burimeve të mediave ndërkombëtare, Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio ka bërë të ditur se Trump po shqyrton aktualisht opsione jo-ushtarake për të mbështetur protestuesit iranianë. Ndërkaq SHBA-ja ka paralajmëruar gjithashtu tarifa 25% për vendet që tregtojnë me Teheranin dhe u ka bërë thirrje qytetarëve amerikanë të largohen menjëherë nga Irani, përcjell A2 CNN.
Nga ana tjetër, Rusia ka reaguar ashpër, duke i cilësuar kërcënimet amerikane si “të papranueshme” dhe paralajmëron se çdo sulm i ri ndaj Iranit do të kishte “pasoja katastrofike” për Lindjen e Mesme dhe sigurinë globale.
"Kushdo që synon të përdorë trazirat që po zhvillohen në Iran si pretekst për një sulm të ri ndaj Republikës Islamike si ai i qershorit të kaluar, duhet të jetë i vetëdijshëm për pasojat katastrofike të veprimeve të tilla për situatën në Lindjen e Mesme dhe për sigurinë globale ndërkombëtare", paralajmëroi zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, duke akuzuar "forcat e huaja armiqësore ndaj Iranit" se po përpiqen të "shfrytëzojnë tensionet sociale në rritje për të destabilizuar dhe shkatërruar shtetin iranian".
Edhe Kina, blerësi më i madh i naftës iraniane, dënoi masat amerikane dhe deklaroi se do të mbrojë interesat e saj. Ndërkohë, OKB-ja është shprehur “e tmerruar” nga dhuna, ndërsa Bashkimi Evropian ka njoftuar sanksione të reja kundër regjimit iranian.
Ndërkohë administrata Trump po vlerëson edhe skenarë për një ndryshim të mundshëm regjimi. I dërguari amerikan Steve Witkoff ka zhvilluar një takim sekret me Reza Pahlavin, ish-princin e kurorës iraniane në mërgim, i cili po përpiqet të pozicionohet si figurë udhëheqëse kalimtare në rast të shembjes së regjimit aktual. (A2 Televizion)