Mbi 140 të vrarë në Gaza, drama e palestinezëve eklipsohet nga lufta në Iran

Nga Erjon Dervishi
18 Qershor 2025, 15:40 | Bota

Ndërsa vijon pa u ndalur operacioni “Rising Lion” kundër Iranit, Izraeli nuk humb vigjilencën as ndaj armikut tjetër, Hamasit, duke mos i dhënë frymëmarrje popullsisë në Gaza. Të shtënat e artilerisë dhe sulmet ajrore kanë vrarë të paktën 140 vetë rreth enklavës së copëtuar në 24 orët e fundit.

Siç bëri me dije Ministria e Shëndetësisë në Gaza, mes viktimave përfshihen edhe palestinezë të vrarë në bazë ditore, teksa presin të sigurojnë ushqim në pikat e shpërndarjes së ndihmave. Shumë qytetarë në territor druhen se drama e tyre do të harrohet tani, teksa vëmendja është zhvendosur në luftën ajrore mes Izraelit dhe Iranit, shkruan A2 CNN.

Sipas njoftimeve, viktimat janë shënuar si pasojë e zjarrit të artilerisë dhe sulmeve ajrore pranë qendrave të ndihmave, në kampe refugjatësh, lagje të Gazës veriore dhe qëndrore, si dhe në Khan Yunis. Forcat e Mbrojtjes Izraelite thanë se po verifikonin raportimet për viktima mes qytetarëve në radhë për ndihma.

Sa i përket sulmeve të tjera, u tha se IDF po operonte për të shkatërruar kapacitetet ushtarake të Hamasit, duke marrë masa për të minimizuar dëmet civile.

Të martën, Ministria e Shëndetësisë në Gaza tha se 397 palestinezë janë mes atyre që janë vrarë teksa përpiqeshin të siguronin ushqim, ndërsa më shumë se 3 mijë janë plagosur që kur ka nisur rishpërndarja e ndihmave në fund të majit.

Izraeli e ka kanalizuar shumicën e ndihmave tek Fondacioni Humanitar i Gazës, një grup i ri i mbështetur nga SHBA dhe Izraeli, që shpërndan ndihmat vetëm në tri zona të kontrolluara nga ushtria izraelite. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos