Mbi 15.500 viktima që nga 7 tetori në konfliktin Palestinë-Izrael

Nga A2 CNN
22 Nëntor 2023, 08:50 | Bota

Mbi 15.500 viktima që nga 7 tetori në konfliktin Palestinë-Izrael

Numri i të vdekurve nga konflikti i vazhdueshëm Palestinë-Izrael ka kaluar 15.500. Kjo është konfirmuar nga të dhënat zyrtare të publikuara nga të dyja palët.

Sipas zyrës së mediave qeveritare të Hamasit, numri i viktimave palestinezë në Rripin e Gazës ka tejkaluar 14 mijë që kur shpërtheu konflikti aktual Izrael-Hamas, më 7 tetor.

Ismail al-Thawabta, Drejtor i Përgjithshëm i zyrës për media, tha në një konferencë për shtyp se në mesin e të vdekurve ishin 5840 fëmijë dhe 3920 gra, ndërsa më shumë se 33.000 të tjerë u plagosën.

Ai tha se numri i personave të zhdukur ka tejkaluar 6800, duke përfshirë 4500 fëmijë dhe gra nën rrënojat e ndërtesave të shkatërruara nga sulmet izraelite.

Sipas Ministrisë palestineze të Shëndetësisë, në Bregun Perëndimor, të paktën 218 njerëz u vranë në konflikt që nga e marta në mbrëmje, me më shumë se 2850 të tjerë të plagosur.

Nga ana izraelite, të dhënat e qeverisë tregojnë se rreth 1200 njerëz kanë humbur jetën.

Shefi i OKB-së, Antonio Guterres, tha të hënën se në konfliktin aktual midis forcave izraelite dhe militantëve palestinezë në Gaza, ku mijëra fëmijë janë vrarë në javët e fundit, bota është dëshmitare e një niveli dhune "të pashembullt dhe të paprecedentë", që kur ai mori zyrën në 2017.

Nga 2.3 milionë banorët e Gazës, 1.7 milionë janë tani të zhvendosur, tha Guterres. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos