Nuk kanë të ndalur sulmet në Rripin e Gazës. Të paktën 24 persona janë vrarë në një shkollë ku strehohen persona të zhvendosur në Gaza nga sulmet e e fundit izraelite. Mjekët thanë se dhjetëra viktimat në sulmin në shkollë, në lagjen Daraj të qytetit të Gazës, përfshinin gra dhe fëmijë.
Disa prej trupave u shkrumbuan. Ushtria izraelite tha të hënën se forcat izraelite goditën një qendër kontrolli të Hamasit gjatë natës të dielën në Gaza, duke shënjestruar një objekt që përdorej për të "planifikuar dhe mbledhur informacione për të ekzekutuar sulme terroriste kundër civilëve izraelitë dhe trupave të IDF".
Izraeli rriti operacionet e tij ushtarake në enklavë në fillim të majit, duke thënë se po kërkon të eliminojë aftësitë ushtarake dhe qeverisëse të Hamasit dhe të kthejë pengjet e mbetura që u kapën në tetor 2023.
Pavarësisht rritjes së presionit ndërkombëtar që e shtyu Izraelin të hiqte një bllokadë ndaj furnizimeve me ndihma përballë paralajmërimeve për urinë e afërt, kryeministri Benjamin Netanyahu tha javën e kaluar se Izraeli do të kontrollonte të gjithë Gazën.
Izraeli ka marrë kontrollin e rreth 77% të enklavës ose nëpërmjet forcave të tij tokësore ose urdhrave të evakuimit dhe bombardimeve që i mbajnë banorët larg shtëpive të tyre, tha zyra e mediave të Gazës.
Fushata izraelite, e shkaktuar pasi militantët islamikë të Hamasit sulmuan komunitetet izraelite më 7 tetor 2023, duke vrarë rreth 1200 njerëz, ka shkatërruar Gazën dhe ka dëbuar pothuajse të gjithë dy milionë banorët e saj nga shtëpitë e tyre.
Ofensiva ka vrarë më shumë se 53,000 njerëz, shumë prej tyre civilë, sipas autoriteteve shëndetësore të Gazës. (A2 Televizion)