
Mijëra pjesëtarë të ushtrisë amerikane, të cilët kanë jetuar në bordin e një aeroplanmbajtëseje për më shumë se 250 ditë, po përballen me mungesa ushqimore, lodhje dhe vështirësi të tjera. Kjo ka bërë që ligjvënësit të kërkojnë përgjigje nga Pentagoni, duke shtuar gjithashtu presionin ndaj administratës Trump lidhur me luftën në Iran.
Mediat e specializuara për çështjet ushtarake raportuan se disa marinarë në bordin e USS Abraham Lincoln kanë menduar edhe të hidhen në det. Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, i cilësoi të enjten raportimet për kushtet e këqija si “krejtësisht të keqinterpretuara”.
Aeroplanmbajtësja u largua nga Kalifornia në nëntor drejt Detit të Kinës Jugore dhe më pas u dërgua në Lindjen e Mesme, përpara sulmeve ndaj Iranit në shkurt.
Misioni, i cili fillimisht ishte planifikuar të përfundonte në maj, është zgjatur disa herë. Ende nuk është bërë e ditur një datë për kthimin e saj, por disa media raportuan të enjten se SHBA-të po përgatitet ta zëvendësojë aeroplanmbajtësen me USS George Washington, si pjesë e një plani rotacioni të paracaktuar.
Senatori demokrat i Konektikatit, Richard Blumenthal, renditi vështirësitë e raportuara në bordin e aeroplanmbajtëses, ku ndodhen rreth 5,000 persona, në një letër drejtuar Hegseth: “Mungesa të furnizimeve bazë, ndotje të ujit, probleme me sistemin hidraulik, përkeqësim të shëndetit mendor, shqetësime për sigurinë në kuvertë dhe ndërprerje në sistemin postar, të cilat kanë bërë që shumë pako me ndihma nga familjarët, të nisura drejt anijes, të humbasin gjatë transportit për muaj të tërë.”
“Këto raportime kërkojnë vëmendje të menjëhershme”, shkroi Blumenthal, i cili është anëtar i Komitetit të Shërbimeve të Armatosura, “por ato ngrenë gjithashtu një pyetje më të gjerë: nëse Marina amerikane është në gjendje të përballojë ritmin operacional që po kërkohet aktualisht nga forca e saj e aeroplanmbajtëseve.”
(A2 Televizion)