Të enjten, trupat izraelite zunë pozicione brenda shtëpive palestineze në fshatin Qusra të Bregut Perëndimor pasi kolonët i kishin mbajtur të bllokuara familjet palestineze gjatë javës, në një rrethim që palestinezët thonë se synon t'i detyrojë ata të largohen nga tokat e tyre.
Rrethimi nisi gjatë fundjavës, kur kolonët hebrenj bllokuan rrugën që të çonte te tri shtëpitë në fshatin palestinez Qusra dhe ngritën një tendë në oborret e tyre, duke mos lejuar askënd të hynte apo të dilte. Më herët, kolonët u kishin ndërprerë energjinë elektrike dhe ujin.
Kryetari i bashkisë së Qusrës, Abed Al Athem Wadi, tha se gjashtë shtëpi në fshat ishin evakuuar dhe marrë nën kontroll nga ushtarët izraelitë – përfshirë tri shtëpitë e rrethuara në majë të kodrës – ndërsa dy familjet që banonin aty ishin grumbulluar në njërën prej shtëpive. Banorët e fshatit thanë se ushtarët i kishin njoftuar familjet se operacionet në Qusra mund të zgjasnin deri të dielën. Zyrtarët izraelit duke përdorur një gjuhë të ashpër kërcënojnë për të marrë tërë Bregun Perëndimor.
"Ne, siç e kemi bërë të qartë pa asnjë mëdyshje unë dhe Kryeministri, nuk po tërhiqemi nga kjo zonë sigurie. Ne do ta pastrojmë këtë zonë dhe do të garantojmë sigurinë e banorëve të veriut; në asnjë rrethanë nuk do të tërhiqemi nga zonat e sigurisë – as në Liban, as në Siri dhe as në Gaza. Mësimi nga 7 tetori është se ne i mbrojmë banorët tanë përmes pranisë së IDF-së në këto vende. Kjo i mbron ata nga inkursionet, të shtënat dhe çdo kërcënim tjetër. Kjo është politika jonë, kjo është doktrina jonë dhe kjo kështjellë e Beaufort-it e ilustron më mirë se çdo gjë tjetër kuptimin e asaj politike.
Më herët të enjten, një ditë pasi trupat izraelite përdorën gaz lotsjellës në një përpjekje të dështuar për t'i larguar kolonët, ushtria njoftoi se kishte dërguar trupa shtesë në zonë "për të kryer misione mbrojtëse dhe patrullime, me qëllim ruajtjen e sigurisë dhe mbrojtjen e zonës".
Kombet e Bashkuara deklaruan se rreth 15 palestinezë, përfshirë dy fëmijë, "ishin bllokuar brenda shtëpive të tyre në gjendje terrori, të paaftë për të përmbushur nevojat bazë dhe pa qasje në ujë apo energji elektrike". (A2 Televizion)