
Policia Kufitare ka bllokuar një mjet lundrues dhe ka ndëshkuar pronarin me inicialet A.P. me masë administrative 500 000 lekë të rinj. Sipas “bluve” ai shkeli perimetrin e sigurisë duke rrezikuar jetën e pushuesve në vendin e quajtur “Tre Ishujt” në Ksamil.
“Shërbimet e Policisë Kufitare dhe Njësia Policore Detare kanë intensifikuar kontrollet dhe patrullimet përgjatë gjithë vijës bregdetare, me qëllim garantimin e sigurisë së pushuesve dhe zbatimin e rregullave të lundrimit. Gjatë patrullimit në sektorin detar të Ksamilit, në vendin e quajtur “Tre Ishujt”, shërbimet e Policisë Kufitare konstatuan një mjet lundrues Jet Ski, i cili ishte futur brenda perimetrit të sigurisë, në zonën ku pushuesit po laheshin, duke rrezikuar jetën dhe sigurinë e tyre. Në përfundim të veprimeve administrative, mjeti lundrues u bllokua, ndërsa pronari i tij, shtetasi A. P., u ndëshkua me masë administrative prej 500 000 lekësh të rinj”, thuhet në njoftimin e "bluve".
Policia e Shtetit apelon sërish ndaj përdoruesve të mjeteve lundruese dhe subjekteve që operojnë me to që të respektojnë perimetrat e sigurisë dhe rregullat e lundrimit, duke mos hyrë në zonat e përcaktuara për pushuesit. (A2 Televizion)