Presidenti rus Vladimir Putin vizitoi të enjten ishullin e kontestuar pranë Japonisë, duke shkaktuar një reagim të ashpër nga Tokio, i cili deklaroi se veprimet e Putinit e kanë bërë të vështirë çdo përmirësim të marrëdhënieve midis dy vendeve.
Ishulli, i njohur në Rusi si Iturup dhe në Japoni si Etorofu, është një nga katër ishujt e zinxhirit të Kurileve – pranë ishujve kryesorë të Japonisë – të cilët u morën nën kontroll nga Moska në ditët pas kapitullimit të Japonisë në Luftën e Dytë Botërore. Tokio ka këmbëngulur në pretendimet e saj për këta ishuj, duke e bërë kthimin e tyre një kusht për nënshkrimin e një traktati zyrtar paqeje që do të hapte rrugën për lidhje më të ngushta ekonomike.
“Si Qeveri e Japonisë, ne i kemi bërë vazhdimisht kërkesa të ngjashme palës ruse që Presidenti Putin të përmbahet nga vizitat në territoret veriore. Megjithatë, ne protestojmë fuqishëm kundër vizitës së sotme të Presidentit Putin në ishullin Etorofu (Iturup). Territoret veriore janë pjesë e pandashme e territorit të Japonisë, si nga pikëpamja historike ashtu edhe sipas së drejtës ndërkombëtare. Kjo vizitë e fundit në ishullin Etorofu (Iturup) nga Presidenti aktual i Rusisë bie ndesh me qëndrimin e qëndrueshëm të Japonisë lidhur me territoret veriore. Për më tepër, ajo lëndon ndjenjat e popullit japonez dhe është absolutisht e papranueshme.
Marrëdhëniet midis Moskës dhe Tokios u përkeqësuan pasi Putin urdhëroi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës në vitin 2022. Japonia iu bashkua vendeve të tjera në dënimin e sulmit dhe në vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë.
Vizita e Putinit në ishull vjen dy ditë para se Japonia të shënojë 81-vjetorin e kapitullimit të saj që i dha fund Luftës së Dytë Botërore, dhe një ditë pasi Koreja e Veriut lëshoi një raketë në detin që e ndan atë nga Japonia, në prag të stërvitjeve të mëdha të përbashkëta ushtarake mes Seulit dhe Uashingtonit. Dmitry Medvedev ishte udhëheqësi i parë rus që vizitoi territorin e kontestuar në vitin 2010.
Gjatë kësaj vizite – të cilën agjencia shtetërore e lajmeve TASS e përshkroi si të parën e Putinit në këtë zinxhir ishujsh – ai vizitoi fabrikën e përpunimit të peshkut "Yasny" në ishull, pasi kishte ndjekur nga afër stërvitjet e marinës në Lindjen e Largët të Rusisë.
Pamjet e transmetuara nga kanali televiziv "Vesti" tregonin Putinin të veshur me kostum të errët, pranë dy peshqve të mëdhenj ton dhe një peshku sheshak (halibut) të vendosur mbi një tavolinë, ndërsa dy zyrtarë flisnin për peshkimin dhe sjelljen migruese të peshqve. Ai gjithashtu u ndal për të provuar vezët e peshkut vendas. (A2 Televizion)