Liderët e G7 kërkuan zbutje tensioneve në Lindjen e Mesme, përfshirë edhe një armëpushim në Gaza. Në një deklaratë të përbashkët ata ritheksuan angazhimin për paqe e stabilitet në rajon, duke shtuar se brenda këtij konteksti Izraeli ka të drejtën të mbrojë veten.
Presidenti amerikan Donald Trump u largua më herët nga samiti në Kanada, duke u thënë gazetarëve se duhej të kthehej në vend, për arsye që dihen. Largimi i tij erdhi teksa Izraeli dhe Irani sulmuan njëri-tjetrin për të pestën ditë me radhë.
Qarkulluan raportime se Trump kishte urdhëruar mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare për t’u takuar pas kthimit të tij, duke nxitur zërat për një përfshirje të mundshme të SHBA në ofensivën izraelite kundër Iranit. Por, Shtëpia e Bardhë hodhi poshtë sugjerimet, ndërsa vetë Trump iu drejtua platformës sociale “Social Truth” për të përgënjeshtruar deklaratën e Macron, se ai ishte larguar më herët për të punuar mbi një paqe të mundshme mes Izraelit dhe Iranit.
“Presidenti francez Emmanuel Macron, të cilit i pëlqen publiciteti, tha se u largova nga samiti i G7 për të punuar mbi një armëpushim mes Izraelit dhe Iranit. Gabim. Ai nuk ka asnjë ide përse u ktheva, por me siguri që kjo nuk ka të bëjë me armëpushimin. Është më e madhe se kjo. Qëllimisht ose jo. Emmanuel gjithmonë e kupton gabim”, shkroi Trump.
Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, njoftoi dërgimin e kapaciteteve shtesë në Lindjen e Mesme, për të përforcuar posturën mbrojtëse të Pentagonit. Më herët, Presidenti kishte postuar në rrjetet sociale se Teherani duhet të kishte nënshkruar marrëveshjen e propozuar prej tij, në raundin e fundit të bisedimeve bërthamore.
“Thjesht dhe qartë, Irani nuk mund të ketë një armë bërthamor”, shkroi ai.
Trump u bëri gjithashtu thirrje qytetarëve atje të evakuojnë menjëherë kryeqytetin Teheran, me 17 milionë banorë, por pa ofruar detaje të mëtejshme. Gjatë pjesëmarrjes në samit, Presidenti amerikan e cilësoi një gabim dëbimin e Rusisë nga G7. (A2 Televizion)