Më shumë se 80 palestinezë u vranë nga zjarri izraelit rreth Rripit të Gazës të mërkurën, shumica e tyre në qytetin Gaza.
Gra e fëmijë janë mes të paktën 20 viktimave të shënuara kur një sulm shënjestroi një godinë banimi dhe tenda që strehonin familje të shpërngulura pranë tregut Firas në qendër të qytetit. Dëshmitarët thonë se bombardime të rënda kishin përfshirë zonën teksa njerëzit ishin në gjumë.
Ushtria izraelite pretendon se ka goditur dy luftëtarë të Hamasit dhe se numri i viktimave nuk përputhet me informacionet që ajo zotëron. Ndërkohë, tanket dhe trupat izraelitë vijojnë avancimin drejt zemrës së qytetit, të cilin Tel Avivi e konsideron si bastionin e fundit të Hamasit.
Qindra mijëra banorë janë shpërngulur deri më tani nga qendra më e madhe urbane e enklavës bregdetare, ku kriza e urisë u konfirmua edhe nga një organizëm i mbështetur prej OKB. Por, qindra mijëra njerëz të tjerë mbeten atje, në kushte çnjerëzore, me shërbimet jetësore të tilla si shëndetësia që janë në kolaps.
Gjysmëhëna e kuqe palestineze tha të martën se automjetet ushtarake të Izraelit ishin stacionuar jashtë spitalit të Al Quds në Tal al-Hawa, dhe se pika e furnizimit me oksigjen ishte dëmtuar dhe nxjerrë jashtë shërbimit nga zjarri izraelit. Ndërsa lufta e Netanyahut në Gaza nuk jep asnjë sinjal zbutjeje, i dërguari i posaçëm i SHBA, Steve Witkoff, tha se Presidenti Donald Trump i kishte prezantuar një plan 21 pikësh për paqen në Lindjen e Mesme, një grupi udhëheqësish arabë dhe myslimanë në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të OKB.
Witkoff nuk dha detaje për planin, por tha se ai adresonte shqetësimet izraelite, ashtu edhe ato të fqinjëve të vet në rajon. (A2 Televizion)