“Nuk e kam problem të flas pa teleprompter sepse ai nuk punon…Ndihem i lumtur që jam këtu me ju pavarësisht të gjithave, edhe pse kështu mund të flas më shume nga zemra. Por mund të them vetëm se cilido që operon teleprompterin do të jetë ne telashe të mëdha”, deklaroi Trump në OKB.
Edhe pse gjeneroi të qeshura në sallën e OKB, Donald Trump jo vetëm që ishte serioz në deklaratat e bëra në nisje të fjalimit në asamblenë e përgjithshme, por nuk do të mjaftohet me aq. Kreu i Shtëpisë së Bardhë ka kërkuar një hetim për atë që e quan “sabotazh të trefishtë” gjatë vizitës së tij në pallatin e qelqtë në Nju Jork të martën.
Në një postim në rrjetet sociale presidenti amerikan ju referua një shkallë lëvizëse që ishte ndalur papritur teksa ai dhe zonja e parë Melania gjendeshin në të; keqfunksionimin e teleprompterit gjatë fjalimit dhe një problem me audion në sallë.
Por një zyrtar i OKB sqaroi se sistemi i fonisë ishte i ideuar për të lejuar njerëzit të dëgjojnë fjalimet e përkthyera përmes kufjeve. Organizata e Kombeve të Bashkuara tha se një mekanizëm sigurie mund të jetë aktivizuar nga videografi i Trump, i cili po lëvizje të drejtimin e kundërt në shkallët lëvizëse, ndërsa sa i përket telepromterit, ai i përkiste delegacionit amerikan.
Por Trumpin nuk e bindin sqarimet e organizatës dhe në rrjetet sociale pohoi se do t’i shkruante një letër Sekretarit të Përgjithshëm Guterres, për të kërkuar një hetim të menjëhershëm.
”Një turp i vërtetë ndodhi në OKB. Jo një, jo dy por tre incidente të këqija. Nuk ishte një rastësi, por një sabotazh i trefishtë. Ata duhet të kenë turp nga vetja”, shkruajti Trump. Ai kërkoi gjithashtu arrestimin e personave përgjegjës për incidentin në shkallën lëvizëse, duke ju referuar një artikulli të The Times, që thoshte se punonjësit ishin tallur, duke ndalur shkallët. Edhe ambasadori i SHBA në OKB Mike Waltz, përsëriti thirrjen e presidentit për hetim, duke i cilësuar incidentet si të pa pranueshme. (A2 Televizion)