Mbretëria e Bashkuar paralajmëron për uri të tmerrshme në Gaza: Izraeli të heqë dorë nga këto praktika

Nga A2 CNN
22 Gusht 2025, 10:37 | Bota

Mbretëria e Bashkuar paralajmëron për uri të tmerrshme

Mbretëria e Bashkuar i është përgjigjur komenteve të kreut të agjencisë palestineze të refugjatëve të OKB-së, UNRWA, se uria në Gaza është "e qëllimshme" dhe po përdoret si një "instrument lufte".

Sipas mediave të huaja, duke folur për krizën në Gaza, nënsekretari parlamentar i shtetit në Zyrën e Jashtme, Komonuelthit dhe Zhvillimit (FCDO), Hamish Falconer, tha se situata humanitare në Gaza ka "arritur në thellësi të reja".

"Izraeli duhet të heqë menjëherë dhe përgjithmonë të gjitha barrierat që pengojnë ndihmën të arrijë te populli i Gazës për të parandaluar vazhdimin e urisë së tmerrshme në Rrip", tha ai, shkruan A2 CNN.

"Situata humanitare në Gaza ka arritur në thellësi të reja dhe për këtë arsye po bëjmë gjithçka që mundemi për t'i dhënë fund vuajtjeve aktuale dhe për të ndryshuar situatën në terren”, vijoi ai më tej.

"Ne vazhdojmë të mbështesim përpjekjet për të arritur një armëpushim të menjëhershëm. Gjithashtu, na duhet një plan gjithëpërfshirës për t'i dhënë fund këtij mjerimi dhe për të arritur një zgjidhje afatgjatë që ofron paqe dhe siguri për palestinezët e izraelitët", tha më tej zyrtari.

Komentet vijnë pas fjalëve të ashpra të lëshuara nga Philippe Lazzarini dje, në të cilat ai shprehu shqetësimin se fëmijët që vuajnë nga kequshqyerja në Gaza do të vdesin nëse nuk merren menjëherë masa emergjente.

"Ne kemi një popullsi jashtëzakonisht të dobët që do të përballet me një operacion të ri të madh ushtarak", tha Lazzarini.

"Shumë njerëz thjesht nuk do të kenë forcën për t'iu nënshtruar një zhvendosjeje të re”, shtoi ai.

"Shumë prej tyre nuk do të mbijetojnë. Është një zi buke e fabrikuar dhe e sajuar. Është e qëllimshme. Ushqimi është përdorur si instrument lufte", përfundoi Lazzarini. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos