“Portat e ferrit do të hapen”- Ministri izraelit kërcënon të shkatërrojë qytetin e Gazës

Nga A2 CNN
22 Gusht 2025, 09:42 | Bota

“Portat e ferrit do të hapen”- Ministri izraelit

Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz, ka kërcënuar të shkatërrojë qytetin e Gazës, pasi kryeministri Benjamin Netanyahu tha se ushtria e vendit do të zgjerojë ofensivën e saj atje.

Në një postim në rrjetin social ‘X’, Katz tha se Izraeli dje miratoi planet e IDF-së për të mposhtur Hamasin në Gaza "me zjarr intensiv, evakuim të banorëve dhe manovra".

"Së shpejti, portat e ferrit do të hapen mbi kokat e vrasësve dhe përdhunuesve të Hamasit në Gaza - derisa ata të bien dakord me kushtet e Izraelit për t'i dhënë fund luftës, kryesisht lirimin e të gjithë pengjeve dhe çarmatimin e tyre", tha ai, përcjell A2 CNN.

"Nëse nuk bien dakord - Gaza, kryeqyteti i Hamasit, do të bëhet Rafah dhe Beit Hanoun. Pikërisht siç premtova - kështu do të jetë", vijoi ai më tej.

Siç kemi raportuar, IDF ka filluar të telefonojë mjekët dhe organizatat ndërkombëtare në Gazën veriore për t'i inkurajuar ata të evakuohen në jug përpara operacionit të zgjeruar në Qytetin e Gazës.

Shumë nga aleatët më të ngushtë të Izraelit i kanë kërkuar qeverisë të rishqyrtojë vendimin, shkruan A2 CNN.

Disa izraelitë kanë frikë se kjo mund të dënojë rreth 20 pengjet e mbetura të marra nga Hamasi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos