Një operacion i madh shpëtimi është duke u zhvilluar pasi një anije me dhjetëra turistë nga shtete të ndryshme, u mbyt pranë bregdetit të Egjiptit. Anija "Sea Story" u fundos pranë shkëmbit koralor Shaab Satayah, afër Marsa Alam.
Sipas mediave lokale, anija kishte në bord 31 turistë, përfshirë katër britanikë, dy amerikanë, pesë spanjollë, dhe dy belgë, si dhe 14 anëtarë ekuipazhi egjiptian. Deri tani, 28 persona janë shpëtuar, ndërsa 17 mbeten të zhdukur.
Sinjali i parë u dërgua në orën 5:30 të mëngjesit, përpara se anija të humbiste kontaktet. Turistët e shpëtuar janë transportuar me helikopter për kujdes mjekësor, ndërsa kushtet e vështira të motit dhe zona e madhe e kërkimit po e komplikojnë misionin.
"Sea Story", një jaht 44 metra i ndërtuar në vitin 2022, ishte në një udhëtim pesë-ditor nga porti Ghalib drejt Hurghadës.
Deti i Kuq, i njohur për pasurinë e tij detare dhe koralet unike, mbetet një destinacion i rëndësishëm turistik për Egjiptin, pavarësisht sfidave të sigurisë në rajon. Autoritetet vazhdojnë operacionet e kërkimit dhe shpëtimit për personat e zhdukur. (A2 Televizion)