
Erjon Vishkulli, i cili mbeti i dëmtuar në sy gjatë protestave të dhunshme në Tiranë, ka reaguar sërish nga spitali në Romë ku u dërgua pas ndërhyrjeve kirurgjikale që kreu fillimisht në Shqipëri.
Në një postim në rrjetet sociale të shoqëruar edhe me foto nga spitali, me syrin e fashuar dhe me duart në formën e shqiponjës dykrenare, 28-vjeçari shpreh mirënjohjen për familjarët, miqtë dhe shqiptarët kudo në botë të cilët i kanë qëndruar pranë gjatë kësaj periudhe të vështirë me telefonata, mesazhe dhe lutje.
Në mesazhin e tij ai thotë se po përballet me një tjetër sfidë të vështirë për shikimin e syrit, por thekson se mbështetja që ka marrë nga njerëzit i ka dhënë forcë dhe kurajë për ta përballuar
“Në këto momente të vështira të jetës sime, ku pas një dhimbjeje të madhe po përballem edhe me një sfidë tjetër të rëndësishme për shikimin e syrit, dua të shpreh mirënjohjen time më të sinqertë për të gjithë.
Një falënderim i veçantë për të gjithë shokët, miqtë, familjarët dhe shqiptarët kudo që ndodhen në botë, që më kanë qëndruar pranë me mesazhe, telefonata, fjalë të ngrohta dhe lutje. Çdo fjalë e juaja më ka dhënë forcë, shpresë dhe kurajë për të vazhduar përpara.
Në një moment kur zemra ka nevojë për mbështetje, ju më treguat se nuk jam vetëm. Solidariteti, dashuria dhe respekti që më keni dhuruar kanë një vlerë të jashtëzakonshme për mua.
Faleminderit të gjithë shqiptarëve, kudo që jeni, që më keni treguar se zemra shqiptare është gjithmonë pranë njëri-tjetrit, në ditët e mira dhe sidomos në ditët e vështira.
Dhe mbi të gjitha, falënderoj Zotin për forcën, për jetën dhe për shpresën që më jep çdo ditë. Lutem që kjo sfidë të kalojë me sukses dhe që të gjithë të kemi shëndet e bekime.
Zoti ju shpërbleftë secilin për dashurinë dhe mbështetjen tuaj!
Mirënjohje pafund, U shtofshin Shqiptarët e mirë"
(A2 Televizion)