Që nga fillimi i luftës në Ukrainë në shkurt të vitit 2022, frika për shpërthimin e një lufte të tretë botërore është bërë gjithnjë e më e pranishme në opinionin publik.
Tensionet mes Rusisë dhe Perëndimit janë rritur ndjeshëm, sidomos pas raportimeve për hyrje të dronëve dhe avionëve rusë në hapësirat ajrore të vendeve anëtare të NATO-s, si Estonia, Polonia, Norvegjia dhe Danimarka.
Në këtë klimë të mbushur me pasiguri, në rrjetet sociale ka shpërthyer një teori konspirative që parashikon nisjen e një konflikti global pikërisht më 3 nëntor 2025.
Burimi i kësaj teorie është një intervistë e dhënë për "Daily Mail" nga Richard Shirreff, ish-komandant i lartë i NATO-s në Evropë, i cili ka ndërtuar një skenar hipotetik për të treguar sa shpejt mund të përshkallëzohet një sulm rus në Evropë.
Shirreff imagjinon një skenar që zgjat pesë ditë, nga 3 deri më 7 nëntor 2025, ku Rusia nis një ofensivë të befasishme duke filluar me një ndërprerje totale të energjisë elektrike në Vilnius, kryeqyteti i Lituanisë, në orën 14:00 të datës 3 nëntor.
Nga aty, blackout-i përhapet në Letoni dhe Estoni, duke shkaktuar kaos, panik, plaçkitje dhe prishje të rendit civil. Më 4 nëntor, Vladimir Putin shpall gjendjen e alarmit në trupat ruse të vendosura në Kaliningrad dhe në Bjellorusi, duke mobilizuar mbi 60 mijë ushtarë. Më pas, ai pretendon se forcat ruse në Kaliningrad janë sulmuar nga "grupe rebelësh lituanezë" dhe urdhëron pushtimin e korridorit të Suëalkit, një zonë strategjike që lidh Kaliningradin me Bjellorusinë, duke kaluar përmes Lituanisë dhe Polonisë.
Sipas këtij skenari, NATO nuk do të kishte kohë të mjaftueshme për të reaguar, dhe pas pesë ditësh, Evropa do të binte nën kontrollin rus.
Megjithatë, Shirreff ka sqaruar se ky është vetëm një “ushtrim mendor” për të paralajmëruar vendet e NATO-s mbi nevojën për përgatitje të menjëhershme dhe për të rritur gatishmërinë, pasi çdo vonesë në reagim mund të ketë pasoja katastrofike.
Ai nuk ka sugjeruar që një luftë do të ndodhë vërtet në atë datë, por thjesht ka përdorur një periudhë të rastësishme për të ndërtuar një skenar sa më realist në kohëzgjatje dhe ndikim.
Megjithatë, në rrjetet sociale ky paralajmërim është interpretuar si një profeci. Disa përdorues kanë filluar të lidhin datën 3 nëntor 2025 me teori të ndryshme numerologjike dhe esoterike, duke e shndërruar një simulim hipotetik ushtarak në një “datë të caktuar” për nisjen e Luftës së Tretë Botërore. Teoria ka fituar popullaritet në internet, pavarësisht mungesës totale të bazës faktike.
Ekspertët theksojnë se nuk ka asnjë provë që të mbështesë idenë e një sulmi të tillë rus në atë datë dhe se alarmi i ngritur nga Shirreff duhet të shihet si një thirrje për përgatitje dhe jo si një parashikim i së ardhmes. Ndërkohë, NATO ka theksuar se nuk kërkon konflikt me Rusinë, por është e gatshme të mbrojë çdo centimetër të territorit të saj. (A2 Televizion)