“Hita po ju urdhëron për të mbrojtur vilat e veta”, Këlliçi mesazh për policët, denoncon kreun e “bluve”

Nga A2 CNN
18 Tetor 2026, 11:25 | Politikë

“Hita po ju urdhëron për të mbrojtur vilat e veta”,

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka publikuar në rrjetet sociale një foto të disa vilave, për të cilat pretendon se i përkasin kreut të Policisë së Shtetit, Skënder Hita.

Në reagimin e tij, Këlliçi u është drejtuar punonjësve të policisë, duke i bërë thirrje të reflektojnë përpara se të përdorin forcën ndaj të rinjve që protestojnë.

Sipas Këlliçit, efektivët nuk duhet të zbatojnë urdhra që, sipas tij, nuk kanë të bëjnë me ruajtjen e rendit dhe sigurisë, por me mbrojtjen e interesave personale të drejtuesve të tyre.

“Kur të ngrini dorën kundër rinisë sot, mendoni që Skënder Hita nuk ju urdhëron për të mbrojtur rendin dhe sigurinë, por për të mbrojtur vilat e veta. Po, po, po! Pikërisht këto vilat që shihni këtu në foto. Kur ju rropateni me turne 12-orëshe, ai shton katet e vilave”, shkruan Këlliçi.

Në reagimin e tij, nënkryetari i PD-së i drejtohet edhe drejtpërdrejt kreut të Policisë së Shtetit, duke e paralajmëruar se do të përballet me drejtësinë. Këlliçi ngre akuza për dhunën ndaj protestuesve, arrestimet e të miturve dhe veprimet e policisë gjatë tubimeve të ditëve të fundit.

“Por, të garantoj se janë këto vila që do të të bashkojnë me shokët në Durrës, shumë shpejt! Karrigia dhe kolltuku i pushtetit nuk janë të përjetshëm. Fytyra dhe cipa po. Por këtë ju s’keni si ta kuptoni! Ne jemi në krah të rinisë dhe studentëve dhe koha juaj ka mbaruar!”, përfundon reagimin e tij Belind Këlliçi.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos