
Mediat italiane kanë zbardhur detaje të reja mbi profilin e Salim El Koudrit, 31-vjeçarit që përplasi me automjetin e tij një turmë njerëzish në Modena, duke lënë 8 të plagosur, mes të cilëve disa të plagosur po luftojnë për jetën, shkruan A2CNN.
Sipas raportimeve, i riu ishte një Italian i gjeneratës së dytë me origjinë nga Maroku, i lindur në Seriate të Bergamos dhe banues në Ravarino.
Ai nuk kishte precedentë të mëhershëm penalë, apo rekorde kriminale. Kishte përfunduar studimet për administrim biznesi dhe prej kohësh ishte në kërkim të një pune, por pa sukses.
Hetimet e para kanë nxjerrë në pah se 31-vjeçari kishte probleme të shëndetit mendor. El Koudri ishte ndjekur deri deri në vitin 2024 nga një qendër në Castelfranco Emilia, ku trajtohej për çrregullime të personalitetit, mes tyre edhe një “çrregullim skizoid të personalitetit”.
Për këtë arsye, hetuesit dhe Antiterrorizmi kanë sekuestruar kartelat e tij klinike, në përpjekje për të kuptuar motivet që çuan në sulm.
Sipas autoriteteve italiane, deri më tani nuk ka prova që lidhin 31-vjeçarin me grupe terroriste apo me forma radikalizimi fetar. Kontrolli në banesën e tij nuk zbuloi armë, materiale propagandistike apo dokumente që mund të sugjerojnë lidhje me organizata ekstremiste. Mediat italiane raportojnë gjithashtu se ai nuk frekuentonte xhaminë.
Testet toksikologjike rezultuan negative për alkool dhe drogë, megjithëse hetuesit nuk përjashtojnë mundësinë e përdorimit të medikamenteve. Fqinjët e përshkruajnë si një person të qetë dhe të mbyllur, i shqetësuar kryesisht për vështirësitë ekonomike dhe mungesën e një pune të qëndrueshme.
Ndërkohë, hetimet vijojnë për të përcaktuar nëse ai ka vepruar i vetëm apo nëse mund të ketë pasur persona të tjerë që e kanë nxitur drejt një akti të tillë.
(A2 Televizion)